Hovenier: SHBA-ja ka lidhje të forta me popullin e Kosovës

Prishtinë, 19 shkurt 2024 – Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka cilësuar të fortë lidhjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me popullin e Kosovës.

Në një manifestim për Ditën e Presidentëve të SHBA-së, ambasadori Hovenier ka thënë se shprehje e kësaj lidhjeje është edhe shtatorja e Presidentit amerikan Bill Klinton, në Prishtinë, ku u mbajt manifestimi.

“Jam krenar që bashkohem me homologët e mi anembanë botës dhe i bëj homazhe detyrës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe të njoh lidhjen e fortë të SHBA-së me popullin e Kosovës, siç mishërohet kaq qartë në këtë shtatore të Presidentit Klinton”, ka thënë ai.

Ambasadori Hovenier e ka falënderuar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, nën patronazhin e së cilës u mbajt manifestimi, edhe si homazh për presidentët e SHBA-së që e kanë mbështetur Kosovën në faza të ndryshme të historisë së saj.

“Jam vërtet i nderuar dhe, në emër të Shteteve të Bashkuara, mund të them se të gjithë jemi të nderuar që Presidentja Osmani dhe ekipi i saj i kanë udhëhequr përpjekjet për të siguruar që sot, në Ditën e Presidentit, ne t’u bëjmë homazhe të gjithë presidentëve të SHBA-së dhe t’i bëjmë një nderim të veçantë Presidentit Klinton. Faleminderit Presidentja Osmani që në këtë mënyrë e nderoni festën tonë! Ne e vlerësojmë këtë”, ka thënë Hovenier.

Ai ka thënë se Presidenti Klinton i priu përkushtimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës, por ky përkushtim ka vazhduar edhe pasardhësit e tij, deri të presidenti aktual, Joe Biden.

 “Faleminderit që na lejuat ta ndajmë me ju Presidentin tonë, sepse mendoj se shumë prej jush thoni: ‘Ai është edhe presidenti ynë’. As unë nuk do të mund ta thosha ndryshe. Faleminderit, në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, është shprehur ambasadori amerikan në Kosovë, Jefferey Hovenier.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar “testament i rrënjosur thellë” miqësinë e popullit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me popullin amerikan. Ajo ka thënë se kjo miqësi bazohet në vlerat e përbashkëta të të dy popujve.

““Marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës është një dëshmi e këtyre vlerave të përbashkëta. Nga lufta jonë për liri dhe pavarësi e deri te ndërtimi i institucioneve tona të forta, të qëndrueshme dhe demokratike, Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar pranë nesh, duke ofruar mbështetje, udhëzime dhe miqësi”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka thënë se presidentët amerikanë kanë luajtur “rol kyç” në rrugëntimin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.

“Shumë presidentë amerikanë kanë luajtur një rol kyç në këtë rrugëtim, duke kuptuar se kërkimi për liri dhe demokraci i kapërcen kufijtë gjeografikë. Vitin e kaluar fola për presidentin Klinton dhe përkushtimin e tij ndaj popullit të Kosovës, duke refuzuar të qëndrojë duarkryq dhe të shikojë duke vuajtur njerëzit e pafajshëm. Ai u bë zëri ynë kur dekada të tëra shtypjeje dhe diskriminimi kulmuan me një luftë gjenocidale kundër nesh. Sot ktheva faqen në një kapitull tjetër, një kapitull për Presidentin Biden, presidentin aktual të Shteteve të Bashkuara, një njeri udhëtimi i të cilit nga sallat e Senatit në korridoret e Zëvendës Presidentit dhe tani deri në kulmin e lidershipit si President i SHBA-së është shënuar nga një miqësi e fortë me vendin tonë dhe popullin tonë, veçanërisht gjatë momenteve kryesore që kanë formësuar trajektoren tonë”, ka thënë ajo.

Dita e Presidentëve është festë kombëtare në Shtetet e Bashkuara. Kjo festë ka nisur të festohet më 22 shkurt të vitit 1879, në ditëlindjen e Presidentit të parë amerikan, George Washington. Fillimisht, Dita e Presidentëve është festuar vetëm në kryeqytet, Uashington, por prej vitit 1885 ajo festohet në të gjitha shtetet e Amerikës.

(r.m.)