Hovenier: SHBA mendon se ka ardhur koha që Qeveria e Kosovës të ecë përpara me Asociacionin

Prishtinë, 1 shkurt 2023 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, shprehu përsëri të martën qëndrimin e Uashingtonit lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Hovenier tha se Qeveria e Kosovës duhet të ecë para me formimin e Asociacionit dhe ritheksoi se ky asociacion nuk duhet të jetë Republikë Serbe dhe as nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendojnë që tani ka ardhur koha që Qeveria e Kosovës të ecë përpara me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. E dyta është se ne kemi qenë shumë të qartë se çka nuk duhet të jetë (Asociacioni). Nuk duhet të jetë Republikë Serbe, nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Pra, sërish, çështjet, të cilat i kemi përmendur edhe janë edhe në deklaratë (pas takimit të së martës në ambasadën e SHBA-së në Prishtinë)”, tha ai.

Ambasadori Hovenier tha se SHBA do të vazhdojnë mbështetjen për Kosovën.

“Shtetet e Bashkuara janë po aq të qëndrueshme dhe të prera në mbështetje të Kosovës, siç kanë qenë gjithmonë për një shtet sovran, demokratik, shumetnik dhe i pavarur. Dhe ne do të mbështesim Qeverinë e Kosovës që ta përmbushë këtë vizion dhe t’u përmbahet këtyre parimeve”, theksoi ai.

Ambasadori amerikan në Kosovë i bëri këto komente gjatë vzitës në Gjakovë.

Kryetari i komunës, Ardian Gjini, tha se populli i Kosovës është i bekuar që ka mbështettjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Jemi ndër popujt më të bekuar në botë që e kemi mbështetjen e demokracisë më të madhe në botë, shtetit më të fuqishëm në botë, por edhe të të gjithë aleatëve, të cilët për një kohë të gjatë kanë qenë bashkë me ne”, tha ai.

Gjini tha se ambasadori Hovenier është njëri nga diplomatët që e njeh dhe e kupton shumë mirë Kosovën

(r.m.)