Hovenier: SHBA nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës dhe kërcënon sovranitetin e saj

Prishtinë, 31 janar 2023 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se vendi i tij e ka bërë të qartë tashmë se “nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.

“Ne kundërshtojmë rreptësisht krijimin e një entiteti që i ngjan Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Hovenier, citon Radio Evropa e Lirë.

Ai i bëri komentet pas një diskutimi të mbyllur që organizoi të martën Ambasada amerikane në Prishtinë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Hovenier tha se SHBA-ja pret që Qeveria e Kosovës ta ofrojë vizionin e saj për Asociacionin.

“Ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që ta ofrojë vizionin e saj për Asociacionin, që beson se mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, multietnik, demokratik, dhe siguron të drejtat e pakicave në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës”, tha Hovenier.

“Kjo është vendimtare, kjo është e rëndësishme, kjo është urgjente”, theksoi ai.

“Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike, për t’u siguruar se ai funksionon në interes të të gjithë kosovarëve”, shtoi ambasadori amerikan.

Ai, po ashtu, theksoi se partneriteti i SHBA-së me Kosovën “është i palëkundur”.

“Diskutimi i sotëm reflektoi miqësinë tonë të thellë dhe të gjatë me popullin e Kosovës. Ne donim t’i kuptonim këndvështrimet e pjesëmarrësve për Asociacionin, çfarë mund të jetë, si mund të realizohet për qytetarët e Kosovës, por edhe çfarë kapacitetesh nuk mund apo nuk duhet të ketë”, tha ai.

Ambasadori Hovenier tha se diskutimi ku morën pjesë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, liderë të partive politike, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe diplomatë, u përqendrua në tri gjëra.

“Së pari, si mund të funksionojë një asociacion në praktikë? Pjesëmarrësit në këtë takim ngritën një sërë temash, përfshirë pikëpamjet mbi përgjegjësitë e mundshme dhe kufizimet e mundshme të Asociacionit. Së dyti, si mund të funksionojë një asociacion sipas kornizës ligjore të Kosovës? Sërish, dëgjuam opinione të ndryshme, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese [të Kosovës] të vitit 2015. Së treti, si mund të kontribuojë një asociacion në zhvillimin ekonomik dhe ofrimin efektiv të shërbimeve të Qeverisë për serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera pakicë? Dëgjuam pikëpamje sesi Asociacioni mund të ndihmojë t’i adresojë çështjet dhe nevojat që janë thelbësore për çdo komunitet”, tha Hovenier.

 

Një pjesëmarrës në takim nga shoqëria civile, i cili ka dashur të mbetet anonim, ka thënë se “gjatë gjithë kohës është folur vetëm për një asociacion brenda kornizave të Kushtetutës së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Ai ka thënë se në takim ka mbetëruar një frymë konstruktive, por kanë dominuar qëndrime shumë të kundërta.

“Ka pasur qëndrime të ndryshme, qoftë skeptike apo më pozitive, të njëjta me ato që i dëgjojmë në opinionin tonë publik”, ka thënë ai.

(r.m.)