Hovenier: Shpresoj që Qeveria e Kosovës t’i dëgjojë këshillat dhe të na lejojë të jemi avokat më efektiv”

Prishtinë, 4 mars 2024 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikësnë Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se bashkësia ndërkombëtare dëshiron ta shohë Kosovën të avancojë në rrugën evropiane, por shtoi se rruga e vetme drejt këtij objektivi është dialogu me Serbinë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Bashkësia ndërkombëtare qartazi do që Kosova të avancojë në rrugën evropiane. Pra, keni krijuar kushtet për ta arritur këtë objektiv dhe mënyra e vetme është përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ne shpresojmë të shohim përpjekje të ripërtërira për të ecur përpara”, tha Hovenier në panelin me temë “Hartimi i së ardhmes: Drejtimet e Politikave dhe Angazhimi Diplomatik”, në kuadër të konferencës ”Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik” që u mbajt të hënën në Prishtinë.

Ambasadori Hovenier tha se zbatimi i marrëveshjeve për të cilat është pajtuar është rruga e vetme që Kosova të ecë përpara në rrugën e integrimeve.

“Disa thonë se Serbia do të shfrytëzojë rastin që ta zvarrisë progresin e Kosovës. Ajo që mund të them është se, në rrethana të tilla, strategjia më e mirë për Kosovën është të bëjë gjithçka që mundet për të treguar vullnet të vazhdueshëm, kreativitet, energji e përkushtim si edhe implemetin të obligimeve që i ka marrë. Kjo ndihmon për të çuar përpara procesin”, u shpreh ai,

Hovenier tha se shpreson që Kosova të dëgjojë këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“… duam t’i ndihmojmë Kosovës dhe duam që edhe Kosova të na ndihmojë, përmes argumenteve të mira, shmangies të rrethanave që na kufizojnë të jemi avokat efektiv. Unë shpresoj që Qeveria t’i dëgjojë këshillat e dhëna dhe të na lejojë të jemi avokat më efektiv”, theksoi Hovenier, transmeton Ekonomiaoline.com.

(r.m.)