Prishtinë, 2 shkurt 2022 – Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka inkurajuar sërish të gjitha palët e përfshira në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian – të angazhohen në mënyrë konstruktive, fleksibile dhe urgjente që të arrihet përparim në këtë proces.
Ai ka theksuar se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës nuk janë të diskutueshme.
“Përfaqësuesit Specialë të SHBA-së dhe BE-së, Escobar dhe Lajcak, e përfunduan një vizitë produktive në Kosovë. Ne inkurajojmë angazhimin konstruktiv, fleksibël dhe urgjent të të gjithëve për të bërë përparim në Dialogun e lehtësuar nga BE. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës nuk janë çështje për debat”, ka shkruar Hovenier në Twitter.
Wrapped up a productive U.S.-EU visit from Special Reps Escobar & Lajcak to Kosovo. We encourage constructive, flexible, and urgent engagement by all to achieve progress on the EU-facilitated Dialogue. Kosovo’s sovereignty & territorial integrity are not up for debate. pic.twitter.com/7LoDeHfHdR
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) February 2, 2022
Ambasadori Hovenier i ka bërë këto komente pas takimeve që ka zhvilluar në Prishtinë me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Ecobar dhe Lajçak, gjatë vizitës së tyre treditëshe në Kosovë, janë takuar edhe me krerët e lartë shtetërorë të Kosovës, me përfaqësuesit e opozitës dhe të shoqërisë civile.
Dy diplomatët perëndimorë e kanë inkurajuar Kosovën që të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ata kanë bërë thirrje përzbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash në Bruksel.
Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar bisedime në nivel të lartë qysh në korrik të vitit të kaluar.
Çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe shihet si shkaktare e bllokadës.
Formimi i këtij asociacioni është paraparë me marrëveshjen që Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2013.
Qeveria aktuale e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik.
Serbia, në anën tjetër, këmbëngul në krijim e tij.
(r.m.)