Hovenier: Sulmi në veri ishte shumë serioz. U krye nga një grup i strukturuar profesionistësh

Prishtinë, 26 shtator 2023 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se sulmi i së dielës ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit u krye nga një grup profesionistësh të mirëorganizuar.

Në një deklaratë për gazetarët, pas takimit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Hovenier ka thënë se institucionet amerikane të sigurisë po punojnë bashkë me ato të Kosovës dhe me të tjera për sqarimin e plotë të gjithë çfarë ka ndodhur si edhe motivet e sulmit.

“Është sulm shumë serioz. Institucionet e sigurisë së SHBA-së po punojnë bashkë me të Kosovës dhe të tjerët për t’i sqaruar gjithçka që ka ndodhur dhe motivet. E dimë që pati sulm, nga një grup i mirëorganizuar, i stërvitur, profesional dhe që pati shumë pajisje ushtarake. E dimë se sulmuesit vranë një polic të Kosovës”, ka thënë ai.

Ambasadori Hovenieri ka thënë se tashmë dihet që sulmuesit janë barrikaduar në Manastirin e Banjskës për të vazhduar sulmet ndaj Policisë së Kosovës.

Ai ka thënë se arsenali i armëve dhe planet e kapura dëshmojnë se nuk bëhet fjalë për grup “spontan”,por për një grup të organizuar e të stërvitur me strukturë të organizmit dhe të pajisjes.

“Ishte grup i organizuar që ka strukturë prapa që është kujdesur për stërvitjet dhe për pajisjet. Duam t’i shkojmë deri në fund dhe nga përgjegjësit do të kërkohet përgjegjësi”, ka thënë ai.

Ambasadori amerikan ka mohuar se strukturat e sigurisë kanë qenë në dijeni për  sulmin. Ai ka thënë se po të kishte informacion për përgatitjen e sulmit, nuk do të lejohej të ndodhte kjo. Ai ka thënë gjithashtu se nuk është në dijeni nëse ka pasur negociata që sulmuesit të largohen nga zona ku ishin barrikaduar.

Hovenier nuk ka pranuar ta komentojë videon e publikuar nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në të cilën shihet se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiqi, ishte pjesë e grupit të sulmuesve.

“E kam parë këtë video. Kaq mund të them. S’jam në pozitë të komentoj. Ka shumë gjëra që nuk dihen ende. Kjo është e komplikuar, por këtë e marrim shumë seriozisht”, është shprehur ai.

Hovenier ka thënë se sulmi një kërcënim serioz dhe përsëriti se SHBA, bashkë me  partnerët, po punojnë për të nxjerrë në dritë gjithçka lidhur me të.

“Ishte kërcënim për Kosovën dhe popullin e Kosovës me pasoja tragjike. Po punojmë me partnerët që të kuptojmë çka ka ndodhur dhe që ata që bënë këtë të mbahen përgjegjës”, ka thënë ai.

“Jemi me popullin e Kosovës kur përballen me kërcënime”, ka theksuar ai.

Ambasadori Hovenier ka thënë se situata aktuale e dëshmon nevojën për angazhim aktiv në dialog dhe ka theksuar se SHBA-ja pret që të dyja shtetet të zbatojnë plotësisht dy marrëveshjet e arritura në fillim të këtij viti.

(r.m.)