Prishtinë, 21 janar 2022 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i është prezantuar publikut përmes një video mesazhi të publikuar në Facebook.
Hovenier ka thënë se është i përulur që presidenti Biden dhe sekretari Blinken ia kanë dhënë besimin për të udhëhequr misionin e SHBA-së në Kosovë, për të vazhduar punën e tij të rëndësishme në forcimin e lidhjeve tashmë të forta ndërmjet dy shteteve.
Hovenier ka theksuar se ai është mishërim i përkushtimit të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndër dekada për Kosovën dhe popullin e saj.
“Kosova dhe historia e saj nuk janë të panjohura për mua. Gjatë dekadave të fundit, së bashku me kolegët e mi, kam pasur nderin që në funksione të ndryshme të përfaqësoj interesat e SHBA-së në mbrojtjen e popullit të Kosovës, sovranitetit dhe pavarësisë së saj. Në shumë mënyra, unë mishëroj përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përgjatë dekadave ndaj juve dhe vendit tuaj”, ka thënë ai.
Ambasadori Hovenier e ka vlerësuar të arriturat eKosovës gjatë 13 vjetëve të fundit, të cilat I ka cilësuar si “mrekulli”, por kashtuar se në Kosova kaende punë të pakryera.
“Të arriturat e Kosovës përgjatë 13 viteve të shkuara janë thjeshtë mrekulli – një demokraci e gjallë, ekonomi e aftë, si dhe lidershipin që Kosova e përçon përtej kufijve të saj. Megjithatë, ende ka punë të pakryera”, është shprehur ai.
Ambasadori Hovenier paraqet edhe vizionin e tij dhe të ekipit të tij për Kosovën
“Një Kosovë plotësisht të angazhuar dhe të integruar në rajon dhe në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, me marrëdhënie të përmirësuara, të normalizuara me fqinjët e saj;
Një Kosovë me institucione publike të qëndrueshme, të besueshme dhe efikase që ofrojnë shërbime, ndajnë drejtësi, i mbrojnë të drejtat dhe liritë e të gjithë kosovarëve; dhe
Një Kosovë me ekonomi të qëndrueshme, dinamike që tërheq investime, mbron mjedisin dhe mban në vend talentin inovativ”, thotë ambasadori i SHBA-së në Kosovë .
Jeffrey Hovenier e mori detyrën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë në fillim të këtij muaji.
Deklarata e plotë e ambasadorit Hovenier:
Përshëndetje! Unë jam Jeff Hovenier, ambasadori i ri amerikan në Kosovë /Unë sapo kam ardhur në Prishtinë dhe së shpejti do të më bashkohet edhe gruaja ime Laura..
Jam i përulur nga besimi që presidenti Bajden dhe sekretari Blinken ma kanë dhënë për të udhëhequr misionin e SHBA-së në Kosovë për të vazhduar punën e tij të rëndësishme në forcimin e lidhjeve tashmë të forta ndërmjet dy vendeve tona.
Kosova dhe historia e saj nuk janë të panjohura për mua. Gjatë dekadave të fundit, së bashku me kolegët e mi, kam pasur nderin që në funksione të ndryshme të përfaqësoj interesat e SHBA-së në mbrojtjen e popullit të Kosovës, sovranitetit dhe pavarësisë së saj. Në shumë mënyra, unë mishëroj përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përgjatë dekadave ndaj juve dhe vendit tuaj.
Në vitin 1999, përderisa po punoja në misionin e SHBA-së në OSBE, shërbeva si pjesëtar i delegacionit amerikan në procesin e Rambujesë.
Gjithashtu, në vitin 2006, kam qenë në ekipin e OKB-së, të udhëhequr nga i dërguari i posaçëm, Marti Ahtisari, që ishte përgjegjës për negociatat për status.
Më vonë gjatë karrierës sime, në Këshillin Kombëtar të Sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, kam punuar në politikat e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, përfshirë ato për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Bashkëshortja ime dhe unë, bashkë me vajzën tonë më të vogël, Julia, për herë të fundit e vizituam Prishtinën në 2018-n, kur Kosova po e festonte 10-vjetorin e pavarësisë.
Edhe pse jam krenar për rolin që e kam luajtur në mbështetjen e popullit të Kosovës, jam edhe më i ngazëllyer se çka mund të arrijmë së bashku për të ardhmen e Kosovës.
Të arriturat e Kosovës përgjatë 13 viteve të shkuara janë thjeshtë mrekulli – një demokraci e gjallë, ekonomi e aftë, si dhe lidershipin që Kosova e përçon përtej kufijve të saj.
Megjithatë, ende ka punë të pakryera.
Ja premtimi im para jush – duke punuar me udhëheqësit qeveritarë, aktivistët e shoqërisë civile dhe gjithë popullin e Kosovës, ekipi im dhe unë do të vazhdojmë të avokojmë për interesat dhe vizionin tonë të përbashkët:
Një Kosovë plotësisht të angazhuar dhe të integruar në rajon dhe në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, me marrëdhënie të përmirësuara, të normalizuara me fqinjët e saj;
Një Kosovë me institucione publike të qëndrueshme, të besueshme dhe efikase që ofrojnë shërbime, ndajnë drejtësi, i mbrojnë të drejtat dhe liritë e të gjithë kosovarëve; dhe
Një Kosovë me ekonomi të qëndrueshme, dinamike që tërheq investime, mbron mjedisin dhe mban në vend talentin inovativ.
Më lejoni t’ju flas pak për veten time. Me origjinë jam nga Bellingam, Uashington në Bregun Perëndimor të Shteteve të Bashkuara. Bashkëshortja ime, Laura, është nga Merilendi në Bregun Lindor.
Si familje diplomatësh, i kemi rritur katër fëmijët tanë: Helen, Peter, Megan dhe Julia nëpër tërë botën dhe kemi pasur nderin të jetojmë në shumë vende të jashtëzakonshme dhe mikpritëse: Turqi, Gjermani, Kroaci, Greqi, Panama, Paraguaj, Peru, Austri dhe natyrisht, në Uashington D.C.
Edhe pse fëmijët tanë tashmë janë të rritur dhe të zënë duke krijuar familje e duke ndërtuar karrierë, e gjithë familja ime, përfshirë edhe gjashtë, e së shpejti shtatë nipërit e mbesat, vazhdon të krijojë kujtime që i ndajmë së bashku. Këto përvoja na mbajnë bashkë, madje edhe kur oqeanet na ndajnë.
Në të gjitha vendet ku kemi jetuar, kujtimet tona më të gjalla nuk janë për politikën apo politikat, por për lidhjet që i kemi vënë, për vendet që i kemi hulumtuar, traditat e reja që i kemi përqafuar dhe mozaikun e ndjenjave, muzikës, ngjyrave dhe shijeve që i kemi shijuar.
Laura dhe unë jemi tepër të lumtur që Kosova do të bëhet shtëpia jonë dhe mirëpresim mundësitë që të eksplorojmë bukurinë e pasur natyrore të saj, të përqafojmë mikpritjen tuaj të ngrohtë, të mësojmë më shumë për traditat dhe kulturat e ndryshme, të shkëmbejmë muzikë dhe ta shijojmë ushqimin e mrekullueshëm.
Ju faleminderit që na keni mirëpritur në shtëpinë tonë të re. Faleminderit shumë!
(r.m.)