Hovenier: Vështirë të them nëse jemi afër shtensionimit të situatës në veri

Prishtinë, 11 korrik 2023 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se e ka të vështirë të përgjigjet nëse është afër të arrihet shtensionimi i situatës në veri.

Këtë deklaratë Hovenier e bëri një ditë pasi zyrtarë nga Kosova dhe Bashkimi Evropian thanë se kanë arritur pajtim për hapat e parë drejt uljes së tensioneve.

“Çfarë mund të them nga perspektiva e SHBA-së është se kjo është shumë e rëndësishme dhe mund të përsëris atë që e kemi thënë shpesh, e që është se shpresojmë që të shohim një shtensionim të plotë në veri. Ne duam që t’i kthehemi punës që vërtetë është e rëndësishme, në mënyrë që të shohim zbatimin e plotë nga të dyja palët të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo nënkupton shmangien e krizave të reja që pengojnë përpjekjet tona që kjo marrëveshje shumë e rëndësishme dhe strategjike të zbatohet”, tha Hovenier gjatë një konference në Pejë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, më 10 korrik u takuan në Bratisllavë. Ata thanë se kanë arritur pajtim për hapat e parë drejt shtensionimit, por asnjë nga zyrtarët nuk tregoi se për çfarë saktësisht janë pajtuar.

Bashkimi Evropian ka paraqitur disa kërkesa për uljen e tensioneve në veri, që nisën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Që atëherë, serbët lokalë po protestojnë në veri, duke kërkuar që përveç kryetarëve, të tërhiqen edhe njësitë speciale policore nga veriu.

“Shpresa ime është që [ajo për të cilën janë pajtuar] është në përputhje me atë që BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar. Kjo përfshin përveç tjerash nevojën për shtensionim, nevojën për rishqyrtimin e qëndrimit të policisë në ndërtesat komunale, por po ashtu nevojën për zgjedhjet e reja për katër kryetarët dhe për asambletë komunale në katër komunat me pjesëmarrjen e plotë të serbëve të Kosovës. Po ashtu ka nevojë që të dyja palët të zbatojnë plotësisht Marrëveshjen e Ohrit. Këtë shpresojmë që të shohim. Unë besoj që do të shohim copëza të kësaj kur ata të tregojnë se për çfarë kanë biseduar dhe për çfarë janë pajtuar dje”, shtoi Hovenier.

Hovenier iu referua Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve që Kosova dhe Serbia arritën në shkurt në Bruksel dhe në mars në Ohër u pajtuan për Aneksin për zbatimin e saj.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Në mesin e kërkesave të BE-së, por edhe SHBA-së, është që Kosova të mbajë zgjedhje të reja në komunat veriore. Hovenier tha se mbajtja e zgjedhjeve do të kontribuonte në shtensionimin e situatës. Megjithatë, ai paralajmëroi kundër vendosjes së afateve për mbajtjen e votimeve.

“Që kjo të arrihet [shtensionimi i situatës] sa më shpejt që të jetë e mundur duhet që në veri të mbahen zgjedhje të lira në veri sa më shpejt që të jetë e mundur. Ka ende punë që duhet të bëhet që të plotësohen kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, prandaj refuzoj që t’iu jap një afat, por mendoj se kjo çështje duhet të trajtohet si çështje me urgjencë” , tha ambasadori amerikan.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur gatishmërinë e tij për mbajtjen e zgjedhjeve të reja pasi zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga popullata serbe. Ai ka thënë se zgjedhjet e reja duhet të përgatiten, në mënyrë që të jenë të lira dhe të mos bojkotohen sërish.

(REL)