Shkup, 6 qershor 2024 – Hristijan Mickovski i VMRO-DPMNE-së të enjten e mori mandatin për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut. Ai ka një afat prej 20 ditësh për ta dorëzuar programin dhe emrat e kabinetit në parlament. Mickovski tha se qeveria e tij do të punojë për realizimin e premtimeve në fushatë. Shumica e re parlamentare i ka votat e nevojshme për miratimin e qeverisë.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski duke nisur nga sot ka një afat prej 20 ditësh për formimin e kabinetit të ri qeveritar. Sipas Kushtetutës, presidentja maqedonase Gordana Siljanovska Davkova ia dorëzoi atij mandatin për formimin e qeverisë, si drejtuesi i partisë fituese në zgjedhjet e 8 majit.
“Zoti Hristijan Mickovski ka mundësi serioze ta formojë qeverinë, përkatësisht të ketë 61 votat e nevojshme për miratimin e programit të tij dhe përbërjen qeveritare që do ta propozojë në 20 ditët e ardhshme”, tha presidentja Siljanovska Davkova.
I mandatuari Mickovski tha se qeveria e re reformatore, siç e quajti, do të formohet së shpejti; se kabineti i tij do t’i çojë proceset përpara dhe t’ua krijojë ndjenjën e të qenit të barabartë të gjithë qytetarëve.
Ai paralajmëron zhvillim ekonomik të vendit, investime dhe marrjen e një kredie prej 1 miliardë eurosh me kushte të volitshme, por pa përcaktuar se prej nga. Ai foli po ashtu për përmirësimin e gjendjes në shëndetësi e arsim dhe ngritjen e pensioneve.
I mandatuari Mickovski vlerëson se diplomacia është në gjendje të keqe; se disa përfaqësues diplomatikë, por pa përmendur emra, të kenë vepruar për interesa të tyre individuale dhe se ata do të thirren në “biseda serioze” nga ministri i ri i Punve të Jashtme.
“Perceptimi për kriminalitetin dhe korrupsionin është shumë i madh; qytetarët janë të revoltuar dhe nuk ndjehen të sigurtë dhe kjo paraqet motivin kryesor për largimin e tyre nga vendi”, tha zoti Mickovski duke njoftuar reforma të shpejta në gjyqësor.
Si punë e parë, shumica e re parlamentare do të heqë Këshillin e Prokurorëve Publikë dhe Këshillin Gjyqësor, një çështje kjo që për ministrin në largim të Drejtësisë, Krenar Lloga është prirje për disiplinimin e gjykatësve dhe ndërhyrje në gjyqësor.
Qëndrimet negative të BDI-së ndaj qeverisë së pritshme, Mickovski i cilësoi si mundësi e nxitjes së provokimeve etnike në bashkëjetesën e Maqedonisë.
Ai nuk e përdor emrin kushtetues të vendit që është Maqedonia e Veriut, por këtë referencë do ta përdorë, siç thotë në takime dhe konferenca ndërkombëtare. Ai vlerëson se Greqia fqinje nuk po e respekon Marrëveshjen e Prespës.
Por, kjo qasje e tij, sipas analistëve do të rrezikonte procesin e integrimit të vendit drejt Bashkimit Evropian.
Partitë e koalicionit ‘Vlen’ do të kenë gjashtë ministri, përfshirë zëvendës-kryeministrin e parë, ndërsa i mandatuari Mickovski ende nuk i bën të ditur emrat e kabinetit qeveritar. Në qeveri do të jetë edhe partia ‘Znam’ e cila ka gjashtë ligjvënës në parlament. Shumica e re parlamentare me VMRO-në në krye do të ketë 78 deputetë, dy më pak se dy të tretat e parlamentit prej 120 vendesh.
(Zëri i Amerikës)