Tiranë, 8 shtator 2021 – Dhoma Amerikane e Tregtisë publikoi sot Indeksin Vjetor për vitin 2020, ku regjistrohet përsëri një rënie me 0.5 për qind e besimit të biznesit në Shqipëri.
Ky është viti i dytë me rënie të Indeksit pas asaj të vitit 2019 kur rënia e besimit ishte 5 për qind.
Në studimin e siguruar nga Zëri i Amerikës thuhet se Indeksi i Besimit në vitin 2018 ishte 43.16 për qind, ndërsa tani është 37.6 për qind.
Ky është niveli më i ulët i Indeksit të Besimit që nga viti 2012, kur nisi kjo matje e përvitshme e cilësisë së klimës së bizmesit nga Dhoma Amerikane e Tregtisë për anëtarët e saj, aktualisht 220 kompani vendase dhe shumëkombëshe.
Klima e përgjithshme e biznesit në Shqipëri mbetet e pafavorshme. Më shumë se 71 për qind e anëtarëve të Dhomës Amerikane e vlerësojnë klimën e biznesit në Shqipëri si të pafavorshme, vetëm 9 për qind e vlerësojnë si pozitive dhe 20 për qind si neutrale.
Sipas studimit, performanca e ekonomisë shqiptare ka rënë me 5 pikë, 80 për qind e të anketuarve deklaruan se performanca e ekonomisë shqiptare ka rënë gjatë vitit 2020.
Ata kanë të njëjtin perceptim për rënien edhe sa u takon punësimit, investimeve, shkëmbimeve tregtare.
Niveli i taksave përbën një shqetësim dhe vlerësohet si jokonkurrues në rajon.
Afro 60 për qind e të anketuarve e vlerësojnë si të pafavorshëm nivelin aktual të taksave.
“Qeveria duhet të rishikojë taksat që zbatohen ndaj bizneseve dhe individëve. Administrata duhet të zhvillojë takime me bizneset për të dëgjuar nevojat e tyre dhe të thjeshtojë procedurat e taksave” – shprehet njëri nga biznesmenët e anketuar.
Edhe pse verpojnë në një klimë biznesi sfiduese, kompanitë anëtare shprehën angazhimin e tyre për të vazhduar veprimtarinë e tyre, duke njohur vlerat potenciale të vendit dhe shpresën tek përmirësimet e ardhshme me reforma dhe forcimin e ligjit.
“Qeveria duhet të heqë dorë nga shumë burokraci dhe të krijojë një klimë më të favorshme për investitorët e huaj, në mënyrë që të tërheqë më shumë prej tyre. Shumë investitorë të huaj preferojnë të mos investojnë fare në Shqipëri, sepse fatkeqësisht, shumë pak mund të bëhet në klimën e biznesit në lidhje me lejet dhe lehtësinë e funksionimit pa ndërhyrje joformale” – u shpreh një tjetër i anketuar nga anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Në komentet e tyre bashkangjitur raportit të Indeksit theksohen më së shumti nevoja e madhe për “luftë ndaj korrupsionit të shtrirë në çdo fushë të jetës në Shqipëri”, për “pakësimin e polarizimit dhe luftës politike”, për “qasje miqësore ndaj biznesit”.
Ata pohuan se pronat private nuk respektohen, janë krijuar monopole dhe oligarki në çdo sektor, ndërsa bizneset mbahen nën presion dhe penalizohen për vonesat në pagimin e taksave për shkak të vështirësive të këtij viti pandemie.
Anëtarët e Dhomës Amerikane pohuan se kanë nevojë “digjitalizim, taksa më të ulëta, ndërhyrje më të pakët të qeverisë”, për “përparim të vërtetë kundër korrupsionit në procedurat e tenderave nga administrata” dhe për “trajtim të ndershëm të kompanive nga autoritetet e taksave”.
Të anketuarit kërkojnë po ashtu luftë ndaj informalitetit, depolitizim të administratës, vazhdimin e reformës në sistemin e drejtësisë dhe mbajtjen larg nga biznesi të garave politike elektorale.
Të anketuarit pohojnë se kanë nevojë për një luftë e vërtetë kundër krimit të organizuar, rryshfeteve, ulje të informalitetit dhe zbatimin e rregullave të BE-së për trajtim të njëjtë ndaj gjithë operatorëve ekonomikë, si dhe politika të qëndrueshme fiskale.
“Ka shumë për të bërë, por, të paktën, zbatoni ligjet në mënyrë që të keni konkurrencë të lirë. Mos e ndryshoni legjislacionin fiskal çdo muaj, pasi kështu shkatërrohen planet afatgjata të zhvillimit dhe investimeve që kompanitë kanë hartuar. Rritni kontrollet mbi cilësinë e punimeve të financuara nga buxheti i shtetit” – shprehet njëri prej të anketuarve nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.
Ata i bënë thirrje qeverisë për të mbështetur firmat prodhuese që marrin punëtorë të rinj dhe që ulin papunësinë, si dhe për zbatim të shpejtë të reformave për të zhvilluar ekonominë e tregut dhe për të rritur rolin e Shqipërisë në rajon.
“Autoritetet pengojnë procesin me procedura zyrtare të gjata e të kushtueshme, edhe pse ligji doganor parashikon një proces të thjeshtë dhe të shpejtë. Për këto thjeshtime ka një përvojë të madhe në shumë vende veçanërisht në SHBA në këtë fushë. Nevojitet thjeshtimi i procedurave të eksportit, sidomos në e-commerce” – theksoi një tjetër biznesman i anketuar.
Në anketimin e tyre anëtarët e Dhomës Amerikane shprehin besimin që një klimë e një transparence, praktika të ndershme dhe standarte demokratike do të garantonin një të ardhme më të mirë për investime dhe zhvillim ekonomik.
“Nevoja për një ndryshim më të fortë të politikave në reformat e klimës së investimeve del më së shumti në pah në këtë Indeks” – thuhet në studim.
Pandemia Covid-19, përmirësimi i pakët në ekonomi dhe reformat e lidhura me investimet janë faktorë kryesorë, që sollën këtë rënie.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)