Hulumtimi i “EURACTIV”: Serbia ka hequr 6 mijë shqiptarë nga listat e votimit

Mbi 6 000 qytetarë shqiptarë të cilët jetojnë në Serbi janë fshirë nga listat e votuesve. Një veprim që sipas aktivistëve dhe studiuesve është për bërë për shkak se janë shqiptarë etnikë, shkruan Euractiv.

Sipas një kërkimi prej vitesh nga një akademike dhe ish-banore e zonës, Flora Ferati-Sachsenmaier, shqiptarët janë fshirë rregullisht nga listat e votuesve, duke i bërë ata de facto pa shtetësi dhe pa qenë në gjendje që të marrin ose rinovojnë dokumente identiteti, për të përfituar nga arsimi ose kujdesi shëndetësor, ose madje të regjistrojnë edhe lindjen e fëmijëve të tyre.

Të dhënat e mbledhura dhe të përpunuara nga Sachsenmaier, bazuar në listat historike të votuesve, sugjerojnë se 4,200 qytetarë në komunën e Medvegjës janë hequr dhe 2000 të tjera në Bujanoc raportojnë se janë çregjistruar.

Me zgjedhjet e trefishta në Serbi që mbahen të dielën, heqja e një numri kaq të madh të shqiptarëve etnikë nga listat e votuesve mund të ndryshojë rezultatin e votave.

Të dhëna të mëtejshme të mbledhura nga Sachsenmaier sugjerojnë se disa fshatra të Medvegjës kanë pasë një rënie të popullsisë shqiptare prej 41-71%, edhe pse ata nuk u larguan kurrë nga zona. Për shembull, në fshatin Sfrice u pa që numri i votuesve shqiptarë është ulur me 71,25% ndërmjet vitit 2012 dhe 2019. Në Sijarinë, ai është 70,64%.

“Në vitin 2015, unë po hulumtoja në këtë zonë dhe disa nga familjet, aktivistët dhe politikanët që hasa, vazhdonin të thoshin ‘po na fshijnë, po na fshijnë’. Kjo erdhi në mendjen time dhe vinte gjithmonë në lidhje me Ministrinë e Brendshme në Serbi,” tha Sachsenmaier për Exit.al, një partner mediatik i EURACTIV, e cila ishte e para që dha alarmin për situatën.

Sachsenmaier mblodhi dëshmitë e disa prej njerëzve që iu është fshirë adresa nga institucionet serbe.

“Unë besoj se adresa ime e përhershme është pasivizuar para raundit të fundit të zgjedhjeve parlamentare… Mësova se jam pasivizuar sepse më kanë fshirë nga lista zgjedhore pa asnjë njoftim paraprak ose pa e ditur unë për këtë. Autoritetet serbe ma hoqën një nga të drejtat themelore civile dhe politike – të drejtën e votës”, tha një banor i prezantuar me iniciale A.F.

EURACTIV kontaktoi Ministrinë e Brendshme në Serbi dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por asnjë përgjigje nuk u dha deri në kohën e publikimit.

Komisioni Europian tha se ishte në dijeni të raporteve për fshirjen masive të shqiptarëve etnikë nga bazat e të dhënave zyrtare.

“Ne po monitorojmë situatën në kuadër të angazhimeve të marra për negociatat e anëtarësimit, veçanërisht ato që lidhen me të drejtat e personave që u përkasin pakicave kombëtare”, tha një zëdhënës i Komisionit.

Pasivizimi i adresave ka qenë një çështje për të cilën ngritën shqetësim edhe udhëheqësit e Kosovës.