I amputohet këmba një ushtari hungarez të KFOR-it që u plagos nga serbët në Zveçan

Budapest, 10 korrik 2023 – Mediat në Hungari raportojnë se një ushtari hungarez që ishte plagosur gjatë sulmit nga protestuesit serbë në Zveçan më 29 maj, i është amputuar këmba.

Mediat hungareze kanë njoftuar se një ushtari të KFOR-it hungarez i është amputuar këmba për shkak të dëmtimit të pashërueshëm.

Media online Telex raporton se gjendja e dy ushtarëve hungarezë të plagosur gjatë sulmit me mjete të forta, me kuktej  molotove dhe me armëzjarri vazhdon të jetë e rëndë.

Ky medium transmeton njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Hungarisë se amputimi i këmbës së ushtarit fatkeq u krye të premten në Institutin Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor, sepse kjo ishte e pashmangshme.

Pavarësisht nivelit të lartë të kujdesit mjekësor, pas një konsultimi paraprak me pacientin, duke marrë parasysh rezultatet e trajtimeve të ofruara që nga lëndimi, një nga rastet e kishte të obligueshme amputimin e një gjymtyre, e cila u krye të premten në Institutin Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor. Operacioni ka shkuar mirë, gjendja e pacientit është stabile”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Identiteti i ushtarit që ka mbetur invalid i përjetshëm nuk është publikuar.

Ministria hungareze e Mbrojtjes ka thënë se shumica e ushtarëve janë kthyer në shtëpitë e tyre, por gjendja e dy ushtarëve është ende e rëndë dhe ata janë ende duke u trajtuar në spital.

“Për rikuperimin e tyre, Forcat Hungareze të Mbrojtjes dhe mjekët ushtarakë po bëjnë gjithçka në maksimum”, ka thënë ministria.

Misioni i KFOR-it në Kosovë kishte konfirmuar se gjatë sulmit ndaj pjesëtarëve të këtij  misioni në Zveçan, më 29 maj, ishin lënduar 30 ushtarë, 19 ushtarë hungarezë dhe 11 ushtarë italianë.

“Numri i paqeruajtësve të plagosur gjatë dhunës  në komunën e Zveçanit është 30. 11 ushtarë nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez. Ata kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit”, kishte konfirmuar KFOR.

Në tri komuna në pjesën veriore të Kosovës janë plagosur edhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe disa gazetarë. Po ashtu, janë dëmtuar edhe shumë vetura të Policisë së Kosovës, të KFOR-it  dhe të medieve që i kanë ndjekur ngjarjet në këto komuna.

(r.m.)