Prishtinë, 10 shkurt 2022 – Emisari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, arriti në Kosovë të enjten në mëngjes.
Me të arritur në Prishtinë, Sir Pecha ka zhvilluar takime të veçanta me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Zyra e Kryeministrit dhe Zyra e Presidentes nuk kanë lëshuar ende komunikata lidhur me përmbajtjen e takimeve, por në fokus të tyre besohet se ka qenë procesi i dialogut midis Kosovës e Serbisë.
Vizita e Sir Stuart Peach në Kosovë pason vizitat e tij në shtetet tjera të rajonit. Gjatë vizitës në Beograd, ai kishte deklaruar se Britania e Madhe do të punojë bashkë me BE-në dhe SHBA-në në mbështetje të dialogut Kosovë-Serbi.
Gjatë vizitës në Shkup, më 31 janar, Stuart Peach është fokusuar në situatën e sigurisë në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon, si edhe për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, i cili është bllokuar nga Bullgaria.
Gjatë vizitës në Mal të Zi, më 27 janar, Stuart Peach, ka premtuar mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar tranzicionin e pushtetit.
Emisari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, i ka vizituar edhe Shqipërinë dhe Bosnjen e Hercegovinën.
Sir Stuart Peach është emëruar si dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor në dhjetor të vitit 2021. Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë se emërimi i z. Peach është pjesë e përkushtimeve të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për stabilitet dhe paqe në Ballkanin Perëndimor.
Stuart Peach, ndër të tjera, ka qenë shefi i Komitetit ushtarak të NATO-s, Shef i Shtabit të Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar.
Në vitin 2000, ai ka qenë komandant i forcës ajrore të NATO-s në Kosovë.
(r.m.)