Shkup / Vjenë, 8 gusht 2024 – Njëri nga të arrestuarit mbrëmë për planifikimin e sulmeve terroriste në Vjenë në një koncert të yllit të muzikës, Taylor Swift, raportohet se është nga Maqedonia e Veriut.
Disa mediume në Maqedoninë e Veriut, përfshirë “Alsat M” e “360 Stepeni”, raportojnë se bëhet fjalë për 19-vjeçarin Beran A., me origjinë nga Gostivari. Po ashtu edhe “Blick.ch” ka raportuar se bëhet fjalë për Beran A.
Ai ka lindur në Austri dhe konsiderohet si i dyshuari kryesor për planifikimin e sulmit.
Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se është marrë kërkesa nga autoritetet austriake për kontrollin e një personi nga ky vend.
“Është marrë një kërkesë nga autoritetet austriake në Ministrinë e Brendshme, për kontrollin e një personi me origjinë nga Maqedonia, i cili dyshohet për një sulm të planifikuar terrorist në Vjenë. Ne veprojmë sipas kërkesës së dorëzuar”, thonë nga MPB.
Policia austriake tha se përbërës kimikë ishin gjetur te 19-vjeçari nga Maqedonia e Veriut dhe mediat austriake raportuan se ai synonte të bënte bomba me to.
“Gjatë një kontrolli në shtëpinë e 19-vjeçarit të arrestuar në Ternic, u gjetën disa substanca kimike dhe mjete teknike. Ata tani janë lëndë nën hetim. I dyshuari u radikalizua ndoshta në internet dhe vetëm disa javë më parë u betua për besnikëri ndaj udhëheqësve të grupit terrorist të Shtetit Islamik”, tha Franc Ruf, Drejtor i Sigurisë Publike në Ministrinë e Brendshme të Austrisë.
Përveç Beranit, që mediumet në Austri iu referuan si Muhamed, u arrestua edhe një person tjetër – një djalë 17-vjeçar me origjinë turko-kroate që punonte në stadiumin ku do të mbaheshin koncertet, e po ashtu u intervistua një 15-vjeçar që konfirmoi shumë detaje për të dyshuarin kryesor, ka thënë Ruf. Ruf tha se 15-vjeçari nuk besohet se ishte aktiv në këtë komplot, por dinte shumë detaje.
Sipas informacioneve nga policia austriake, tre persona të tjerë janë në arrati.
Policia austriake nuk zbuloi detaje të mëtejshme në lidhje me sulmet e planifikuara, as në lidhje me marrëdhëniet midis dy të arrestuarve, por u theksua se personat u gjurmuan përmes rrjeteve sociale, të cilat policia theksoi se u zhvilluan në formë të koduar.
Ministri i Brendshëm i Austrisë, Gerhard Karner, ka thënë se “tragjedia është evituar” dhe se sulmi është zbuluar dhe parandaluar falë inteligjencës ndërkombëtare.
Gjithsej 195,000 njerëz duhej të merrnin pjesë në tre koncertet e Taylor Swift në stadiumin Ernst Happel në Vjenë, si dhe 20,000 fansa të tjerë për të dëgjuar koncertet jashtë stadiumit.
Disa media austriake spekulojnë se sulmuesi 19-vjeçar kishte planifikuar të ngiste makinën e tij drejt turmës që do të mblidhej para stadiumit për koncertin dhe se kishte menduar të përdorte thika.
Koncertet e Taylor Swift në Vjenë u anuluan.