Nga Ruben Avxhiu
Stan Dragoti, regjizori i njohur shqiptaro-amerikan, që dikur la botën e filmave për të ndryshuar imazhin e New York-ut, vdiq dje, në California, SHBA, në moshën 86-vjeçare.
Këngëtarja e njohur Genta Ismajli, gazetari Beqir Sina, etj ishin disa nga shqiptarët e parë që dhanë lajmin në rrjetet sociale.
Në vitin 2007, me ndërmjetësimin e botuesit të gazetës “Illyria” Vehbi Bajrami, e intervistova për shkrimin e mëposhtëm. Në atë kohë, ëndërronte të bënte diçka të ngjashme për Shqipërinë, si fushata e famshme “E dua Nju Jorkun” që i kishte dhënë dikur famën në botën e reklamave.
Fotografia gjatë bisedës me të është bërë nga mjeshtri Alex Selimaj, që bashkë me Vehbi Bajramin ishte gjithashtu i pranishëm në bisedë.
Lamtumirë Stan!
I HEART ALBANIA
Nga Ruben Avxhiu
Regjizori i njohur shqiptaro-amerikan Stan Dragoti luajti dikur një rol të dorës së parë në ndryshimin e imazhit të New York City-t në botë. Gati 30 vjet më vonë ai është gati për një sipërmarrje të ngjashme: të ndryshojë imazhin e Shqipërisë, vendit nga i cili prindërit e tij emigruan për në SHBA.
Ky ishte edhe qëllimi i një vizitë të tij kohët e fundit në Shqipëri, gjatë së cilës u prit edhe nga kryeministri Berisha.
Dragoti ka bërë disa filma në Hollywood, në vitet 60-70 kur ishte një nga yjet e kinematografisë amerikane, mirëpo, suksesi i madh në fushën e reklamave sidomos fushata “I love New York”, solli një zhvendosje të angazhimeve të tij, në një mënyrë që as e kishte parashikuar e as nuk e kishte dashur. Sot, i angazhuar maksimalisht në botën e reklamave, ai do që të bëjë diçka të veçantë për Shqipërinë. Një fushatë për t’ia transformuar imazhin ballë gjithë botës, e ndoshta në punë e sipër t’i rikthehet filmave edhe një herë tjetër.
Një fushatë për të ndryshuar fytyrën e Shqipërisë në botë
Gjatë vizitës së tij të fundit në Shqipëri, ai u takua me kryeministrin Sali Berisha dhe biseduan për një projekt që do transformonte mënyrën sesi përfytyrohet Shqipëria në botën e gjerë.
Dragoti, i cili prej kohësh ka dashur të kontirbuojë në këtë drejtim ka dalë i kënaqur nga gatishmëria e qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar në këtë drejtim.
Në një bisedë në restorantin e njohur Fino në Manhattan, Dragoti shpalosi disa nga elementët e një platforme strategjike që i kishte paraqitur kryeministrit të Shqipërisë.
Regjizori shqiptaro-amerikan beson se mungesa e një imazhi tërheqës është problemi kryesor i Shqipërisë. Ai përmend rastin e Kroacisë dhe bumin e paparë që mori turizmi i saj, nga një fushatë e ngjashme imazhi që e bëri vendin ballkanik një nga destinacionet botërore të pushuesve verorë.
Sipas Dragotit, Shqipëria nuk është aq e humbur sa e bëjnë. E mbuluar me një mantel misterioz për gati gjysëm shekulli, për shkak të izolimit të saj, ajo mund të kthehet në një subjekt interesant që mund të tërheqë të huajt.
Ai është përgatitur mirë përpara takimit me kryeqeveritarin shqiptar duke studjuar raportet e marketingut për Shqipërinë, ndër të cilët një studim shumë serioz të Bankës Botërore.
“Në thelb të asaj që i parashtrova kryeministrit Berisha”, tregon Stand Dragoti, “ishte marrja e Shqipërisë si të ishte një produkt i panjohur dhe kthimi i saj në një markë të njohur e të kërkuar në treg.”
Sipas mjeshtrit të reklamave, gjithshka duhet të fillojë në planin kulturor.
“Pasuria më e madhe e Shqipërisë është historia e saj e jashtëzakonshme”, thotë ai. “Është një histori që ka një potencial të madh joshës. Nuk njihet sa duhet dhe nuk janë nënvizuar aspektet më interesante të saj”.
Dy janë drejtimet që ai do të punojë për të përdorur historinë si mjet tërheqës, filmat artistikë me sukses ndërkombëtar dhe valëve të kanalit televiziv History Channel.
Tre filma që do ta vendosin Shqipërinë në qendër të vëmendjes botërore
Regjizori Dragoti këmbëngul te fuqia e artit të shtatë. Një film i suksesshëm në shkallë botërore do të luante një rol të madh në imazhin e Shqipërisë.
Dragoti ka zgjedhur tre tema të cilat sipas tij do të zgjonin interes te publiku ndërkombëtar nëse do të realizoheshin. Një film do të ishte për Skënderbeun, një tjetër i bazuar mbi librin e gazetarit shqiptaro-amerikan Peter Lukas për agjentët shqiptaro-amerikanë në Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore dhe një i tretë për shpëtimin e hebrejve gjatë pushtimit nazisto-fashist.
Dragoti ka mënyrën e tij të veçantë të shikimit të këtyre tre temave.
Ai ka një interes të veçantë për portretin psikollogjik të Skënderbeut, një figure sa shqiptare aq edhe ndërkombëtare për nga fama dhe simbolika.
Ndërsa filmin për hebrenjtë do që ta mbështesë mbi historinë e përshkruar nga libri “Via Albania”, shkruar nga Johanna Jutta Neumann, e cila tregon aventurën e familjes së saj për t’i shpëtuar persekutimit nazist. Familja e saj nga Hamburgu u vendos në Shqipëri ku shqiptarët u kujdesën për ta ashtu si për gjithë hebrenjtë e tjetë të Shqipërisë e të vendeve të tjera që u strehuan aty.
Është një histori e bukur që meriton të tregohet. Shumë njerëz nuk e dinë këtë vlerë të madhe të historisë së Shqipërisë. Gjithmonë në historitë që tregohen apo edhe në filmat që janë bërë është gjithmonë tema e një njeriu të veçantë që shpëton një njeri tjetër. Po këtu kemi rastin që një popull i tërë, një popull i veçantë ka shpëtuar një komunitet të tërë. Kjo është e veçanta e jashtëzakonshme e kësaj teme që meriton të kthehet në film.
Nga këto tre projekte, filmi që do të kishte dëshirë që ta drejtonte vetë është ai i bazuar mbi librin “The OSS in World War II Albania” të gazetarit Lukas. Libri ndjek rrugën nëpër Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore të një grupi shqiptaro-amerikanësh që punojnë për OSS (CIA e atëhershme) dhe që ndodhen papritmas në situatën e ndërlikuar të gërshtetimit të detyrës së misionit me emocionet e rizbulimit të atdheut të prindërve të tyre. Politikat dhe ideologjitë e kohës ndeshen dhe maten me ndjenjat personale e humane, me tragjeditë dhe dramat personale të perzonazheve të kohës.
Në bashkëpunim dy shqiptaro-amerikanë të tjerë Enver Jisufi dhe Besnik Bezhin, Dragoti ka themeluar kompaninë “DBJ Production”, e cila ka në fakt pronësinë për të tre filmat e lartpërmendur.
Dy të rinjtë shqiptaro amerikanë i janë bashkuar regjizorit Dragoti në projektet e tij për Shqipërinë. Enver Jisufi e ka njohur Dragotin në vitin 1996, kur ai ishte në Detroit për një konferencë. Jisufi, familja e të cilit ka ardhur nga Struga në SHBA kur ai ishte vetëm 3 vjeç, është sot biznesmen i suksesshëm në fushën e restoranteve. Ndërsa Besnik Bezhi nga Gjakova, ka qenë dikur model në Austri e pastaj ka hapur vetë një agjensi për përfaqësimin e modeleve. Ai është kthyer në Kosovë për t’iu bashkuar UÇK-së gjatë luftës. I ati i tij, Prenk Bezhi, ka qenë nismëtar në përpjekjen e të rinjve për një film për Skënderbeun, me një tekst 25-faqësh që përshkruan historinë e Heroit të madh.
Enveri dhe Besniku e kanë shoqëruar regjizorin Dragoti gjatë vizitës së tij në Tiranë.
Një karrierë e shkëlqyer në botën e reklamave dhe fushatave publike
Lidhja e Stan Dragotit me botën e reklamave filloi në vitin 1968, kur firma “Well, Rich and Greene” e punësoi si drejtor artistik. Dy vjet më parë, ajo kishte punësuar një tjetër talent të ri që do të bënte emër me këtë firmë, Charlie Moss, autor i teksteve e përmbajtjes të disa prej reklamave më të famshme të kësaj firme.
Bashkëpunimi Moss/Dragoti fitoi vëmendje mbarëkombëtare me reklamat e tyre të American Motors Corporation në të cilat morën pjesë aktorë të njohur si Robert De Niro, Richard Dreyfuss dhe Herb Edelman.
Dragoti u shkëput nga firma në vitin 1971 për të bërë filmat e tij humoristikë si “Dashuri me kafshim të parë”, apo “Zoti Mëmë”, por iu rikthye bashkëpunimit me Moss-in kur kompania fitoi të drejtën për të bërë reklamat “I Love New York” për shtetin e New York-ut.
Në kohën kur filloi fushata “I Love New York”, New York-u ishte në prag të falimentimit. Kërkesa që i bëri qeverisë amerikane për një ndihmë financiare u refuzua. Në atë kohë gazeta Daily News botoi titullin kryesor me shkronjë të mëdha: Ford to New York: Drop Dead (që mund të përkthehet Presidenti “Ford i thotë Qytetit: Bjer dhe vdis!” ose “Vdis po deshe!”)
“Vinim re në atë kohë që njerëzit e kishin zakon të thonin: E urrej New York-un! Nuk e duroj dot atë qytet! Dhe na dukej e padrejtë”, kujton Stan Dragoti për gazetën “Illyria”. “Ky është një qytet i mrekullueshëm. Imagjino, ky qytet ka Cental Park-un, muzeume të mrekullueshme, restorante si askund, Broadway-n që është i pashoq në botë. Ndaj edhe thamë, le të themi të kundërtën. Le të themi: I love New York. Dhe kështu filluam.”
Në vitin 1995, kur Well, Rich and Greene humbi shumicën e klientëve të saj, Dragoti dhe Moss, dy menaxherët më të sukseshëm vendosën të dalin më vete me firmën Moss/Dragoti. Në atë kohë, gazeta e shquar “The New York Times” citonte Dragotin që shpjegonte maninë e tij për reklamat televizive: “Nganjëherë, është më mirë të paraqesësh ide të mëdha në ekranin e vogël se sa ide të vogla në ekranin e madh.”
Në vitin 1997, dhjetë vjet më parë, firma Moss/Dragoti fitoi konkurrimin për të drejtuar fushatën promovuese të një kanali të ri televiziv që ishte krijuar dy vjet më parë, por ende nuk kishte fituar njohjen e nevojshme. Ky kanal televiziv ishte “History Channel”. Sot, pas djetë vjetësh, ai është jo vetëm një nga kanalet më të kërkuara në botë, por ka krijuar shumë degë si Biography Channel (që përqendrohet tek jetërrëfimet e njerëzve të shquar), një kanal për historinë ushtarake të botës (pas ankesave se kanali po i jepte shumë hapësirë filmimeve të Luftës së Dytë Botërore), kanali i historisë ndërkombëtare, kanale të përshtatura për Kandanë dhe Britaninë, si dhe një sukses më vete të versionit në Internet të këtij programi.
Për një vit me radhë Moss/Dragoti administroi edhe promovimin 25-milion dollarësh të Cnn.com por pastaj u detyrua t’ia linte atë një kompanie tjetër.
Për secilën nga këto sipërmarrje konkurrenca është e jashtëzakonshme. Për shembull për History Channel, një numër i madh konkurrentësh ishin në garë dhe Moss/Dragoti u pranua vetëm pas tre muajsh mbikqyrje. Suksesi ishte i madh.
Në vitin 1999, Dragoti u vu në shërbim të çështjes shqiptare me punimet fotografike që prekën opinionin publik me vuajtjet e popullit të Kosovës. Fushata në media që krahasonte Millosheviçin me Hitlerin dhe nënvizonte nevojën e ndalimit të katastrofës humanitare u pasqyrua në gazetat më të mëdha të botës.
Që nga viti 2004, Moss/Dragoti nuk vepron më në vete por si degë e sektorit amerikanoverior të “BDDP Worldwide”, pronë e gjigandit botëror Omnicom Group.
Tema e parë e fushatës: Shqipëria anëtare e NATO-s në vitin 2008!
Stan Dragoti e ka shfrytëzuar suksesin e tij me History Channel për të krijuar një marrëveshje në shërbim të Shqipërisë. Ai ka ndërmjetësuar që ky kanal të fillojë të shihet në Shqipëri duke siguruar liçensën e nevojshme me një çmim shumë të leverdishëm, një lloj përjashtimi vetëm për Shqipërinë.
Nga ana tjetër, ai po ndërmjetëson edhe që emisione mbi historinë e Shqipërisë të zënë vend në programin e këtij kanali për të zgjuar interesin e teleshikuesve në gjithë botën. Domethënë dokumentare shqiptare, prodhime televizive shqiptare, mbi historinë e Shqipërisë do të kenë mundësi të gjejnë vend në këtë kanal prestigjioz.
Dragoti e konsideron këtë një arritje të rëndësishme për Shqipërinë që e bën shumë krenar.
“Nuk është një marrëveshje që mund ta sigurojë çdokush”, tha ai.
Ka qenë një nga elementët e fushatës së imazhit për të cilën ka folur me kryeministrin Berisha.
Një nivel i tretë pune do të ishte një fushatë për imazhin e vendit. Fushata duhet të flasë për njerëzit, për mundësitë për biznes, për potencialet turistike etj. Infrastruktura për turizmin nuk është ende gati. Mirëpo, Dragoti shpjegon se mundësia e “turizmit me çanta shpine” siç e quajnë dhe që është mjaft popullor midis të rinjve sot në Perëndim.
Bashkëpunimi ndërkohë ka nisur, në 15 janar në gazetat kryesore të të gjitha vendet anëtare të NATO-s do të fillojë një fushatë e përgatitur nga Stan Dragoti dhe bashkëpunëtorët e tij, e cila do të ketë si synim mbështetjen e aplikimit të Shqipërisë për t’u bërë anëtare e NATO-s.
Pas pak javësh ai do të kthehet në Shqipëri që të kryer filmimet e nevojshme për reklamat televizive të kësaj fushate
“Pak njerëz kanë përvojën që kam unë”, thotë ai. Pak janë të tillët që kanë lidhjet e mia në fushën e reklamave, përvojën në disa prej fushatave publicistike më të mëdha të botës, madje përvojë edhe regjizor i filmave artistikë”.
“Dua që Shqipëria të përfitojë nga unë”, thotë ai.
“The New York Times” shkruan në vitin 1980, se fushata 10 milionëshe e shtetit të New York-ut solli një rritje gati 114 milionë dollarëshe në fushën e turizmit dhe në shfaqjet e Broadway-t. Sot, qyteti është një nga vendet më të vizituara të botës. A është i mundshëm ky projekt për Shqipërinë?
Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se fushata për New York-un u shoqërua nga një punë më e përgjegjshme e administratave të qytetit në disiplinimin financiar, në rritjen e sigurisë dhe shërbimeve të tjera të qytetit. Të gjitha këto kthyen jo turistët por shtresën e mesme të njujorkezëve që po iknin jashtë qytetit. Ky kthim e bëri qytetin përsëri të jetueshëm dhe akoma edhe më të dashur për miliona turistë nga e gjithë bota. Është ky një tjetër mësim nga New York-u që Shqipëria dhe politikanët e saj duhen të marrin bashkë me idenë e bukur të rindërtimit të imazhit publik.
Një festë e paharruar në Tiranë
I biri i Asllan dhe Bahire Dragotit, Stan-i u rrit me tregimet plot mall për Shqipërinë, por vetëm pas rënies së komunizmit ai rivendosi marrëdhëniet dhe zhvilloi interes për të bashkëpunuar me vendlindjen e prindërve të tij
Në një vizitë në vitin 1995, ai paraqiti Berishës të njëjtin vizion për të cilin po angazhohet sot, por në atë kohë Shqipëria në tranzicion ishte ende e papërgatitur për një ekspozim të tillë mbarëbotëror.
12 vjet më pas Dragoti nuk ka hequr dorë nga ideja dhe është kënaqur nga gatishmëria e kryeministrit Berisha.
Vetëm pak orë pasi kishte mbërritur në Tiranë, një tjetër bashkatdhetar i njohur me banim në SHBA, Nazar Mehmeti, i telefonon në hotel dhe e fton në një festë që po organizaohej atë natë. Dragoti tregon se si shkoi me përtesën e njeriut që sapo ka bërë një udhëtim të gjatë, por ajo që pa aty e mahniti.
Në zemër të festës ishte ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu, djali i të cilit, që prej kohësh kishte vuajtur nga një sëmundje për të cilën kurimi në Shqipëri ishte i pamundur. Tani jo vetëm që djali ishte jashtë rrezikut por fëmijë të tjerë shqiptarë që vuajnë nga sëmundje të ngjashme mund të kurohen në vend. Ky ishte rezultat i një pune të mirë të qeverisë për të sjellë ndryshime në shërbimin shëndetësor të vendit. Në mënyrë kuptimplote në festë merrnin pjesë, mjeku nga Dallas-i i Texas-it, që kishte ndihmuar djalin e vogël, por edhe dy mjekë nga Turqia e dy nga Austria që kishin ndihmuar që Shqipëria të ecë me hapin e vendeve më të përparuara edhe në mjekësi. Merrnin pjesë edhe shumë mjekë shqiptarë.
Politikanët pjesëmarrës ishin nga të gjithë krahët politikë. Ndër ta shihej ministri i Shëndetësisë, Nard Noka, ministri i Financave, Ridvan Bode, ish-ministri dhe deputeti socialist Arben Malaj e shumë të tjerë.
Regjizori Dragoti u habit nga numri i madh i të rinjve në festë, që ishin tashmë pjesë e elitës së re politike dhe profesionale të vendit. Të gjithë flisnin anglisht, ishin të qeshur e me humor, entuziastë dhe me gëzim për jetën. Atij i pëlqeu që politikanët ishin nga të gjitha krahët e politikës dhe që shumëkush tregoi interes e dëshirë që të fliste me të.
“Kjo është Shqipëria e vërtetë”, tha ai kur i kërkuan të mbante një fjalë të shkurtër. Ai kujtoi kohën e fëminisë, festat shqiptare në të cilat e merrte i ati. “Është po ajo atmosferë e bukur, po ajo dëshirë për t’u kthyer te një botë më e gëzuar e më e mirë”.
Enver Jisufi, i cili bashkë me Besnik Bezhin ashtu si gjatë gjithë vizitës e shoqëronin regjizorin Dragoti edhe në këtë festë tregon se “Stan-i dukej që ishte i emocionuar. I la një përshtypje shumë të thellë”.
I pyetur për këtë ngjarje nga Illyria, vetë regjizori i njohur tha: “Ia di për shumë faleminderit, Nazar Mehmetit që më ftoi në atë festë. Ishte një ngjarje që nuk do ta harroj kurrë”.