I jep fund jetës gazetari e analisti Kastriot Myftaraj

Tiranë, 7 korrik 2022 -Gazetari e analisti shqiptar Kastriot Myftaraj i ka dhënë fund jetës, të enjten rreth mesditës.

Policia shqiptare njoftoi se Myftaraj është hedhur nga kati i katërt i banesës së  tij, në lagjen “Ali Demi” në Tiranë, të enjten, rreth orës 12:55, dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

“Më datë 07.07.2022, rreth orës 12:55, në lagjen ‘Ali Demi’, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i katërt i banesës ku banonte, shtetasi K. M., 60 vjeç, i cili si pasojë ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Burime të Euronews Albania bënë të ditur se Myftaraj ishte diagnostikuar me kancer para një jave dhe ishte në gjendje të rënduar psikologjike.

Myftaraj jetonte bashkë me nënën e tij, e cila ka qenë në banesë kur ka ndodhur ngjarja. Balkanweb raporton se ajo nuk ka ditur për aktin e të birit, pasi ka qenë në një dhomë tjetër, kur ai është hedhur nga dritarja, ndësa lajmin e hidhur e ka marrë nga policia, e cila ka shkuar në banesë për të kryer veprimet hetimore.

Kastriot Myftaraj ka lindur në Korçë, në vitin 1966. Një periudhë kohe ka punuar si ndihmës gjyqtar në Gjykatën e Korçës, kurse pas rënies së regjimit komunist ka punuar në gazetat e përditshme “55”, “Rilindja Demokratike” dhe “Sot”. Vitet e fundit ai punoi në televizionin “OraNews”, ku e realizonte emisionin “Ju flet Moska”. Emisioni i tij i fundit “Plan për atentat ndaj një pronari mediatik“ u  transmetua më 17 qershor. Prej kësaj dite, ai nuk është shfaqur në ekran.

Myftaraj ka qenë autor i disa librave në fushë të publicistikës. Një ndë veprat e tij më të diskutueshme është libri polemik “Gjyqi intelektual i Kadaresë”.

(r.m.)