Tiranë, 3 korrik 2024 – Gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare, iu dha lamtumira e fundit në varrezat e Tufinës, nga familjarët dhe njerëzit më të afërm.
Vajza e tij, Gresa Kadare, në fjalën e saj lamtumirëse, tha se babai i saj, Kadare i madh, sikurse në të gjitha gjërat tjera, ishte krejt i veçantë edhe si baba.
“Ishte krejt i veçantë, si në të gjitha gjërat e tjera. I bindej vetëm ligjeve të letërsisë. Kurrë nuk më ka mërzitur për neglizhencat e mia. E plot e plot të tjera. Por, nuk i kursente sarkazmat për autorët që unë i lexoja. Nga ana tjetër, entuziazmohej sapo ia gjeja ndonjë rresht të goditur. Këtë filozofi e kam adoptuar edhe vetë, që nga fëmijëria”, tha ajo.
Vajza tjetër, Besiana Kadare, tha se ajo e përfytyron babain e saj ngjitur në lartësi “si hyj në Panteonin e gjenive të botës”. Ajo tha se një nga mënyrat më të mira për ta nderuar Kadarenë është rileximi i veprave të tij.
“Jemi të gjithë shumë të prekur nga gjithë kjo dashuri, mesazhet e ngushëllimit, shumë ceremoni prekëse. Nuk do bëj ndonjë fjalim. E përfytyroj që thoshte një nga frazat e tij të preferuara ‘Do na lësh rehat tani. Nuk dua’. E përfytyroj që është ngjitur lart, si në një vorbull drite. E përfytyroj që është ngjitur si hyj në Panteonin e gjenive të botës dhe na shikon. Një nga mënyrat për t’i bërë homazh është të lexojmë të gjithë përsëri veprat e tij. Faleminderit që keni ardhur sot”, tha Besiana Kadare.
Një prej mbesave të Kadaresë, e recitoi ndër lotë një poezi.
“Lamtumirë baba, ashtu siç të kam thirrur gjithmonë!”, u shpreh ajo.
Ndërsa nipi i Ismail Kadaresë e recitoi një poezi të gjyshit të tij në gjuhën frënge.
(r.m.)