Prishtinë, 14 qershor 2023 – Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e Qeverisë së Kosovës ka iniciuar kallëzim penal në Policinë e Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK.
Pjesë e kësaj shoqërie tregtare është edhe Televizoni “Klan Kosova”.
MINT njoftoi se kallëzim penal është iniciuar edhe ndaj zyrtarëve përgjegjës të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, siç thuhet “nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike”.
MINT njoftoi gjiithashtu se Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës (ARBK) “ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare ‘KLAN KOSOVA’ SHPK, deri në një vendim tjetër”.
Sipas vendimit të Drejtorisë së Përgjithshme të ARBK-së, arsye e pezullimit të kësaj certifikate është ngritja e kallëzimit penal për shkak se në certifikatën e biznesit “te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.
“…nuk lejohet regjistrimi i një biznesi ku vendbanimi është në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që në bazë të këtij dokumenti vërtetohet se qyteti i Pejës dhe Gjakovës është nën administrimin e Republikës së Serbisë…”, thuhet në vendimin e ARBK-së.
“Për vendimin e ARBK-së, është ftuar në takim dhe është njoftuar pala, përkatësisht pronari i Shoqërisë Tregtare ‘KLAN KOSOVA SHPK’, thuhet në njoftim.
“Klan Kosova” ka bërë të ditur se për këtë vendim të ARBK-së është njoftuar rreth orës 18:00 nga ministrja Rozeta Hajdari, por ende nuk ka marrë asnjë vendim zyrtar nga ministria. Në reagimin e parë lidhur me këtë vendim, “Klan Kosova’ thotë se ‘është krejt i padrejtë, arbitrar dhe me primesa autokratike, i pa bazuar në ligj”,
“Klan Kosova është njoftuar nga ministrja Rozeta Hajdari për këtë vendim rreth orës 18:00, kurse deri në këto çaste nuk ka marrë asnjë vendim zyrtar nga ministria.
Klan Kosova asnjëherë deri më sot nuk ka pasur asnjë kontakt ose veprim nga ndonjë institucion i Republikës së Kosovës lidhur me çështjet për të cilat ministria ka ngritur dyshime.
Klan Kosova asnjëherë nuk ka pasur rastin as të japë shpjegime çfarëdo në institucionet e shtetit lidhur me pretendimet e ministrisë, të cilat sipas tyre kanë rrjedhur nga një shkrim spekulativ nga një portal online, vetëm një ditë më parë.
Derisa nuk marrim njoftime të tjera, ne besojmë se ky veprim është krejt i padrejtë, arbitrar dhe me primesa autokratike, i pa bazuar në ligj, i cili në secilën rrethanë i bie tentim i mbylljes së një mediumi, tentim i shkeljes së lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes.
Ne kemi ndërmarrë menjëherë masat që të konsultohemi me juristë, ndërkohë duke njoftuar të gjitha institucionet e shtetit, ambasadat e akredituara në Kosovë, organizatat ndërkombëtare të mediave dhe lirisë së shprehjes”, thuhet në reagimin e “Klan Kosova”.
(r.m.)