Tiranë / Londër, 1 janar 2023 – Më shumë se 12.000 shqiptarë sipas autoriteteve britanike, kaluan kanalin e Lamanshit me gomone për të mbërritur në brigjet angleze, vitin e shkuar.
Njëri prej tyre Elisi. 23-vjeçari nga veriu Shqipërisë, në një intervistë me gazetarin e “Top Channel”, Muhamed Veliu, u shpreh se mospasja mundësi e ndërtimit të një jete të mirë, si pasojë e një page jo të kënaqshme nga puna si eskavatorist, e detyruan të largohet.
Gazetari: Përse ju zgjodhët të mbërrinit në Angli me gomone dhe jo duke përdorur ndonjë alternativë tjetër?
Elisi: Zgjodha për të ikur me gomone sepse edhe nga ana financiare sepse ishte me një çmim që edhe mund ta përballoja. Duke pyetur njerëzit si është rruga me gomone, a është e mirë, a është e qetë, mirëpo çdo gjë doli krejt e kundërta e asaj që vetë përjetova në atë rrugëtim. Njerëz ka sa të duash. Nuk është problem të gjesh kontakte me këtë lloj trafikimi. Unë e gjeta kontaktin shumë kollaj.
Gazetari: Si mund të na e përshkruani rrugëtimin tuaj me gomone drejt Anglisë?
Elisi: Faktikisht më kishin thënë që ishte një rrugë shumë e qetë, do mbërrish shpejt, nuk do kesh probleme. Mirëpo më doli krejt e kundërta nga ajo çfarë ata më thanë mua. 10 ditë tentativë për tu larguar me gomone mirëpo kishte probleme me autoritetet franceze. Në ditën e 11 u nisëm por ishte tmerrësisht një tmerr i madh sepse kemi qenë 76 vetë në gomone. Një gomone me bazament ajri me jastëkë ajri nuk mund të përballojë 76 veta. Nga ora 3 e mëngjesit derti në ora 12 të drekës kemi bërë rrugëtim. Gomonia nisi të mbushej me ujë. Kishim frikë. Njerëzit nuk rrinin rehat nga paniku. Ishte një tmerr tmerr i vërtetë.
Gazetari: Ju keni mbërritur në Angli në muajin qershor, çfarë keni bërë gjatë kësaj kohe?
Elisi: Normal me miqësinë, me shokët arritën të më gjenin punën në ndërtim si hekurkthyes. Jam akoma në punë. Normal në të zezë. Punoj me letra të tjera dhe me to paguajmë taksa.
Gazetari: Ka edhe shqiptarë në Francë që presin përmirësimin e motit për të kaluar Lamanshin me gomone. Çfarë do t’i thonit atyre?
Elisi: Po është e vërtetë ka persona që presin. Mund të jenë në hotele apo çadra në pritje për ardhur këtu. Unë nga rruga që kam bërë nuk do të doja që asnjë person të vinte me gomone. Është tmerrësisht e rrezikshme. Sidomos në këtë kohë që është tani. Është kohë e ftohtë. Tepër e rrezikshme.
Gazetari: Çështja e shqiptarëve mbërritur me gomone ishte kryefjalë e politikës angleze në vitin që lamë pas. Si i keni parë këto komente?
Elisi: Këto komente nuk më janë dukur edhe aq mirë. Sidomos kur vinë nga shteti anglez. Ne kemi ardhur për punë. Nuk janë të gjithë shqiptarët njësoj. Ka edhe nga ata që merren me rrugë të tjera por shumica kanë zgjedhur rrugën e djersës. Nuk duhet që të gjithë shqiptarët ti mbledhim në këtë thes.
Gazetari: Çfarë prisni të realizohet për ju gjatë vitit 2023?
Elisi: Unë shpresoj që mund të marr letrat e punës, mund të punoj me rregull këtu në Angli sipas ligjit me emrin tim dhe nuk besoj se do të punoj më me emra të huaj.
(Top Channel)