I rritet dënimi ish-kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe

Tiranë, 1 mars 2023 – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sot rikthimin në qeli të ish-kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe.

Gjithashtu, Apeli i GJKKO ka shtuar dënimin për Tushen.

Tushe është dënuar me 3 vite e 4 muaj burg nga 2.4 që ishte dënuar më parë.

Ai është shpallur fajtor për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Njoftimi i gjykatës:

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 47, datë 29.07.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me ndryshimet si më poshtë vijon:

Lënien në fuqi të vendimit 47, datë 29.07.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar me ndryshimet si më poshtë vijon:

Deklarimin fajtor të të pandehurit z. F.T. për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në bashkëpunim, sipas nenit 258 dhe 25 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 2 vjet burgim.

Në bazë dhe për zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, pas bashkimit të dënimeve, caktimin si një dënim të vetëm për të pandehurin z. F.T. të masës 5 vjet burgim.

Në bazë dhe për zbatim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, pas zbritjes me 1/3 e dënimit, caktimin si dënim përfundimtar ndaj të pandehurit z. Fatos Tushe të masës 3 vjet dhe 4 muaj burgim.

(r.m.)