I THONI MIRËSEVJEN TË ARDHMES

Nga Ruben Avxhiu
 
Dy robotë “bullafiqë” në formë vezake të njohur si “Botë Spiunë” (SnitchBot) dhe “qeni dixhital” katërkëmbësh (Digi-Dog) do të patrullojnë sistemin e metrosë, në New York City, në orët e pasmesnatës.
Është një eksperiment që nëse ka sukses do të pasohet nga më shumë robotë të tillë.
Ata dallojnë shkelje, japin urdhëra me zë të lartë, paralajmërojnë. Regjistrojnë.
Robotët mund të ndjejnë gazëra helmues, e rreziqe të tjera për shëndetin e njeriut. Mendohen se janë mjete ideale në situata ku dikush është marrë peng etj.
Policia ka zbrazur 700,000 dollarë nga buxheti për këto prodhime të Boston Dynamics. Një provë e parë e nisur në 2021, u ndërpre menjëherë pas protestash nga qytetarë dhe politikanë, por kësaj here bashkia është më e vendosur.
“Nuk duhet të kemi frikë nga teknollogjia”, tha kryebashkiaku i New York-ut, Eric Adams duke prezantuar tre pjesëtarët e rinj të policisë.
Sa për rrezikun se këta robotë do të marrin vendet e punës njerëzve, një oficer policie i kishte thënë gazetës “New York Post” se qyteti është mijëra policë mangut.
Në fakt teknologjia ka ndryshuar mënyrën se si patrullohen qytetet. Shumë gjoba vihen automatikisht nga kamera inteligjente. Ato regjistrojnë pagesat për kalimin në autostrada, etj. Policëve tani u vishen kamera në uniforma që të regjistrojnë përballjet me njerëzit. Arkivat janë bërë gjithmonë e më shumë aktive dhe të detajuara.
Këta robotë mund të jenë fillimi i një epoke të re të shërbimit policor në qytete. Pasojat për momentin janë të paimagjinueshme.
Sigurisht, jo çdo kush ka besim se do të kenë sukses.
“Lëre rrezikun e zhgarravinave”, tha një oficer tjetër policie. “Njerëzit do të përpiqen t’i çmontojnë këto gjëra”.
Pastaj me shaka shtoi: “Vërtet, nëse dikush përpiqet t’i shkatërrojë, a do të dënohet për sulm ndaj një ruajtësi të rendit apo për dëmtim prone publike?”