Vjenë, 8 shtator 2022 – Inspektorët e Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA) publikuan të martën raportin e tyre ku bëjnë thirrje për krijimin e një zone të sigurtë përreth centralit, pas muajsh të tërë bombardimesh që kanë dëmtuar pjesë të objektit. Por, Ukraina thotë se raporti i agjencisë nuk thellohet sa ç’duhet.
Inna Holikova po përgatitet për një katastrofë bërthamore. Ajo po grumbullon ilaçe për veten dhe djalin e saj dyvjeçar Oleksandr, për të përballuar efektet e një rrjedhjeje radioaktive nga centrali bërthamor i Zaporizhias.
“Erdha të marr ilaçe që mund të na ndihmojnë në rast të një katastrofe. Shpresoj mos të na duhen”, thotë Inna, e cila banon në qytetin Zaporizhia.
Inspektorët e agjencisë bërthamore të OKB-së raportuan të martën për dëme të konsiderueshme që ka pësuar objekti, madje edhe tek njëra nga magazinat ku mbahet karburanti i freskët bërthamor dhe mbetjet radioaktive. Vetë inspektorëve iu desh të futen në një strehim gjatë vizitës, për shkak të bombardimeve.
“Jemi duke luajtur me zjarrin dhe mund të ndodhë diçka shumë, shumë katastrofike”, tha Drejtori i Përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së bëri thirrje për krijimin e një zone të mbrojtur përreth objektit.
“Kjo do të kërko te që forcat ruse të tërheqin të gjithë personelin ushtarak dhe paisjet nga ky perimetër, si dhe një angazhim nga forcat ukrainase për të mos u futur brenda tij”, tha zoti Guterres.
Inspektorët konstatuan në objekt praninë e personelit ushtarak rus dhe paisjeve, përfshirë kamionë ushtarakë brenda dy holleve të turbinave. Ukraina thotë se Rusia po e bombardon vetë zonën, si pjesë e një operacioni për të mashtruar për autorësinë e sulmeve.
“Mendoj se bota jo vetëm e meriton, por e ka edhe të nevojshme që përfaqësuesit e agjencisë ta detyrojnë Rusinë të çmilitarizojë territorin e centralit dhe ta rikthejë atë nën kontrollin e plotë të Ukrainës”, tha Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Rusia mohoi të mërkurën të ketë mbajtur atje paisje ushtarake dhe fajësoi Ukrainën për sulmet.
“Po godasim veten tonë tani? Është një absurditet i plotë. Nuk ka mënyrë tjetër për ta përshkruar”, tha Presidenti rus Vladimir Putin.
Gjashtë reaktorët bërthamorë në këtë central janë të mbrojtur mirë, por jo të pashkatërrueshëm.
“Kemi mure mbrojtës shumë të trashë, prej disa metrash betoni, dhe brenda tyre, brenda çdo godine, ndodhet një reaktor i futur brenda një cilindri me presion që është derdhur me çelik të trashë gati 30 centimetra”, thotë Paul Norman, profesor i fizikës bërthamore në Universitetin e Birmingamit.
Linjat kryesore të furnizimit me energji elektrike në objekt janë dëmtuar. Sistemi i ftohjes po furnizohet aktualisht nga një linjë rezervë furnizimi nga një gjenerator i centralit. Gjeneratorët me karburant janë planifikuar të shërbejnë si zgjidhja e fundit.
“Të sjellësh sasi të tillë nafte në central përmes vijës së frontit është shumë e vështirë për momentin”, thotë Oleh Korikov, nga Inspektoriati Rregullator Bërthamor i Ukrainës.
Një ndërprerje e plotë e energjisë do të fikte sistemet e ftohjes së reaktorëve.
“Në këtë rast, karburanti (bërthamor) i reaktorëve mund të mbinxehet, dhe atëherë mund të fillojë procesi i shkrirjes”, thotë Profesor Norman.
Qeveria e Ukrainës thotë se po shqyrton mundësinë nëse mund të mbyllet objekti krejtësisht. Për momentin, vetëm një nga gjashtë reaktorët është në funksionim.
(Zëri i Amerikës)