Identifikohen mbetjet mortore të tri viktimave të tjera të masakrës së Kralanit

Prishtinë, 18 mars 2025 – Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njoftoi se të martën janë identifikuar mbetjet mortore të tri viktimave të masakrës së Kralanit, të cilët gjendeshin në listën e personave të zhdukur që nga lufta në Kosovë.

Mbetjet mortore të Sabedin Kryeziut nga fshati Mleqan i Malishevës, Mentor Kryeziut nga fshati Bubavec i Malishevës dhe Vehbi Halilajt nga fshati Llapqevë i Malishevës janë identifikuar në Instituin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Pak ditë më parë ishin identifikuar mbetjet mortore të tetë viktimave të tjera të masakrës së Kralanit, të cilat u gjetën dhe zhvarrosën nga një varr masiv në fshatin Bishtazhin të komunës sЍ Gjakovës.

Njoftimi i plotë i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur:

Pas 26 vitesh pritjeje dhe kërkimi , sot u informuan zyrtarisht familjet për identifikimin e mbetjeve mortore (eshtrave) edhe të tre viktimave të Masakrës së Kralanit, që ishin në Listën e Personave të Zhdukur, që nga koha e luftës së fundit në Kosovë:

Sabedin (Kadri) Kryeziu, nga fshati Mleqan – Malishevë ;

Mentor (Maliq) Kryeziu, nga fshati Bubavec – Malishevë ;

Vehbi (Pajazit) Halilaj, nga fshati Llapqevë – Malishevë.

Informimi zyrtar i familjeve është bërë nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore , me praninë edhe të kryetarit të Shoqatës së Familjeve të Viktimave të Luftës dhe Personave të Zhdukur ‘Kujtesa’ dhe përfaqësuesve të Komunës së Malishevës.

Këto tri identifikime vijnë pas identifikimeve të tetë viktimave të tjera nga e njëjta masakër, eshtrat (mbetjet mortore) e të cilëve u gjetën dhe zhvarrosën nga lokacioni i varrit masiv në Bishtazhin, për të cilat familjet u njoftuan gjatë javës së kaluar.  Shprehim ngushëllimet për familjet Kryeziu dhe familjen Halilaj.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur do të vazhdojë me angazhimin maksimal për të vërtetën dhe ndricimin e fatit dhe vendndodhjes së gjithë personave të zhdukur me forcë gjatë luftës

(r.m.)

Comment

*