Identifikohet autori që përndiqte online gra dhe vajza shqiptare nga burgu në Francë

Tiranë, 14 gusht 2024 – Një burrë 34 vjeçar, i cili momentalisht vuan dënimin në Francë, u identifikua si autori i 62 rasteve të përndjekjes online dhe krimeve të tjera kibernetike ndaj disa grave dhe vajzave shqiptare.

“Shtetasi F. D., 34 vjeç, i cili aktualisht vuan dënimin në një burg në Francë ka konsumuar veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Përndjekja”, dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, shkruan njoftimi i Policisë së Shtetit.

Sipas policisë, hetimet kanë gjetur se autori i kryente këto vepra penale nga brenda qelisë në burgun  “Lyon Cobras” ne Francë, ku ishte dënuar për “Vjedhje me pasoja të rënda” dhe “Komplot kriminal” sipas legjislacionit francez.

Autori merrte fotografi nga profile të ndryshme të vajzave dhe grave në Tik Tok dhe Instagram, e më pas i postonte ato në profile të tjera fallco të hapura prej tij, duke i shoqëruar me përshkrime denigruese.

Policia e Shtetit raporton se materialet i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme

(Reporter.al)