Identifikohet bartësi i flamurit të “Shqipërisë së Madhe” në Tetovë

Shkup, 7 shtator 2023 – Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se ka arritur ta identifikojë personin që ka mbajtur flamurin e “Shqipërisë së Madhe” në tubimin e zhvilluar në Tetovë, gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, në atë qytet.

Në njoftimin e policisë së Maqedonisë thuhet se bartësi i flamurit, A.M, i cili është shtetas gjerman, do të ndiqet penalisht.

“Departamenti i Policisë Kriminale – Sektori për Krimet e Përgjithshme dhe Dhunën, në bashkëpunim me Seksionin e Punëve të Brendshme në Tetovë, e kanë zbardhur ngjarjen penalo-juridike të ndodhur më 11 gusht 2023, në Tetovë, gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës, Ajbin Kurti, ku është valëvitur flamuri i ‘Shqipërisë së Madhe’, me çka është kryer vepra penale nga neni 319 i Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Pas ndërmarrjes së masave operativo-taktike është konstatuar identiteti i personit që e ka kryer krimin – A.M. (21), i cili është shtetas gjerman. Ndaj tij do të bëhet kallëzim penal nga neni 319 i Kodit Penal, në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike Tetovë”, thuhet në njoftim.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut nuk bën të ditur nëse bartësi i flamurit është arrestuar apo është ende në liri.

(r.m.)