Igli Tare largohet nga Lazio, pas 18 vjetësh

Romë, 5 qershor 2023 – Drejtori Sportiv i Lacios, Igli Tare, ka konfirmuar se ka marrë vendim të largohet nga kjo pozitë, pas 18 vjetësh.

Lajmin e ka konfirmuar vetë Tare për ‘TG1’.

“Eksperienca ime e mrekullueshme si drejtor sportiv i Lacios do të marrë fund, pas 18 vjetësh. Kam kohë që e kam marrë këtë vendim, por prita suksesin e Lacios që të arrijë objektivin me pjesëmarrjen në Champions League.

Ka qenë një aventurë e gjatë dhe intensive e përbërë nga gëzime, disfata dhe trofe. Nuk do të ndalem së falënderuari Presidentin Lotito për mundësinë që më ka dhënë, tifozët bardhekaltër që më kanë hyrë në zemër, klubin me të gjithë anëtarët e tij, lojtarët, stafin dhe të gjithë ata që më kanë qenë pranë në këtë rrugëtim.

Një falënderim i veçantë i takon familjes sime që më ka qëndruar gjithmonë pranë. Një mundësi prestigjioze që pata si futbollist dhe si menaxher që nuk do ta harroj kurrë, duke marrë me vete çdo moment të këtij rrugëtimi. Me shpresë se secili prej jush do të vazhdojë me të njëjtin pasion që kisha unë, do ta ruaj me xhelozi këtë realitet të bukur. Gjithmonë forca Lazio!”, ka thënë Tare.

Ai nuk ka thënë asgjë për të adhmen e tij, por besohet se ai është shumë i mirëpritur në shumë klube futbolli në Evropë.

Igli Tare është shpallur disa herë drejtori sportiv më i mirë i vitit në Itali. Emri i tij është lakuar disa herë si kandidat për drejtor sportiv të klubeve më të mëdha evropiane, por ka dashur t’i qëndrojë besnik Lacios, klubit ku ka pasur një karrierë të shkëlqyer edhe si tubollist.

(r.m.)