Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, është shprehur se mandati i tetë i PS nuk është një çek i bardhë.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Bushati renditi disa elementë kryesorë, që sipas tij, PS duhet t’i ketë në fokus gjatë këtij mandati qeverisës, duke vënë theksin te reformimi i mëtejshëm i partisë.
“Gara e PS duhet të jetë gjithmonë në raport me shoqërinë. Nevojë për t’u reformuar më tej, për të qenë një parti që do t’i bëjë të rinjtë të flasin. Nevoja për të parë përtej një 4-vjecari, duhet ta pozicionojë PS në një forcë avangarde për shoqërinë. Nuk është sot PS një forcë, ku çdo gjë funksionon më së miri, sepse mandati i tretë na ka sjellë në një sfidë tjetër”, ka thënë Bushati.
Ai më tej ka deklaruar se opozita ka një problem të madh me besueshmërinë dhe ndodhet në një situatë të vështirë.
“Jemi në kushtet, ku situata politike në kampin opozitar është e vështirë. Kemi një opozitë që për fat të keq ka një problem të madh me besueshmërinë. Kjo mund të duket si situatë përfituese për ne, por në fakt jo. Në mandatin e tretë, sfida jonë do të jetë që ta vendosim PS në qendër të reformave që vendi duhet të marrë”, ka deklaruar ai./ CNA.al