Prishtinë, 11 shtator 2021 – Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka rekomanduar shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, me qëllim që të parandalohet përhapja e koronavirusit.
Në letrën që ia ka dërguar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Task-Forca e IKSHPK-së ka theksuar se tubimet publike të qytetarëve, gjatë fushatës zgjedhore dhe gjatë procesit zgjedhor, paraqesin rrezik për përhapjen e infeksionit me COVID-19 dhe, si pasojë, rritjen e rrezikut të përfundimit me fatalitet.
“Në bazë të analizës së situatës aktuale epidemiologjike të rasteve me COVID-19, bazuar në raportet e rasteve të hospitalizuara dhe vdekjeve nga SHSKUK dhe spitalet rajonale, dhe profeksioneve për muajin shtator deri në fillim të tetorit, Task Team i IKSHPK-së është i mendimit se mbajtja e procesit zgjedhor, i cili ngërthen në vete tubime publike dhe grumbullim të qytetarëve, paraqet rrezik për përhapjen dhe rritjen e infeksionit me COVID-19 e si pasojë edhe rritje të rrezikut të rasteve me fatalitet.
Prandaj, meqenëse procesi zgjedhor mund të ketë ndikim të shtuar në përhapjen dhe rritjen e rasteve me COVID-19, rekomandojnë shtyrjen e procesit zgjedhor, përkatësisht ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimet publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim, deri në vlerësimin epidemiologjik të radhës”, thuhet në letrën e IKSHPK-së drejtuar Presidentes Osmani.
Ditët e fundit, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike, në Kosovë është diskutuar për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve. Sipas deklaratave publike të liderëve dhe zyrtarëve të lartë të subjekteve politike, Lëvizja Vetëvendosje është pro shtyrjes së zgjedhjeve, ndërsa partitë opozitare janë kundër shtyrjes.
Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë pajtuar që fushata parazgjedhore të kufizohet në vetëm dhjetë ditë.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet, ndryshimi i datës së zgjedhjeve mund të bëhet nga Presidenti i Kosovës, me konsensus të plotë të të gjitha forcave politike që marrin pjesë në zgjedhje.
Kosova tashmë ka një precedent të shtyrjes së zgjedhjeve. Vitin e kaluar, zgjedhjet për kryetar të komunës së Podujevës ishin shtyrë pikërisht për shkak të pandemisë. Vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve ishte marrë nga presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, me propozim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili bazohej në rekoamdnimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe të Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse.
(r.m.)