Tiranë, 28 korrik 2021 – Në Shqipëri, Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD), Artur Metani, bëri të ditur sot se ka nisur procese hetimi dhe procedimi disiplinor ndaj 18 gjyqtarëve dhe prokurorëve në disa rrethe të vendit, që nga Elbasani, Vlora, Dibra apo Tropoja.
Inspektori i Lartë shpjegoi se bëhet fjalë për “raste të lirimeve para kohe me kusht të të dënuarve, për zvarritje të procedurave të hetimit dhe proceseve gjyqësore apo për shkelje të rënda etike”.
Po ashtu, në të paktën tri prokurori dhe gjykata, në Shkodër, Fier dhe Vlorë, kanë nisur inspektime të cilat do të kenë si objekt respektimin e legjislacionit mbi kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit.
Kohët e fundit janë bërë publike raste të ndryshme të personave që nuk janë mbajtur në arrest, pavarësisht se janë arrestuar në flagrancë, edhe me armë zjarri.
Zoti Metani bëri të ditur gjithashtu se po shqyrton ankesat që kanë mbërritur nga qytetarë dhe nga institucione të ndryshme. Po ashtu, po shqyrton edhe trajtimin e magjistratëve në periudhën kalimtare, siç tha, “me qëllim krijimin e një edukate që shmang kulturën e pandëshkueshmërisë dhe harresës”.
(r.m.)