Ilir Meta shpjegon arsyet e divorcit nga Monika Kryemadhi

Tiranë, 21 qershor 2024 – Ish Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, njoftoi te enjten se ka nisur procedurat e divorcit nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, pas 26 vitesh martesë e akoma më shumë vite të një bashkëjetese politike.

“Mendoj se kam gjetur një zgjidhje shumë të qetë”, u shpreh zoti Meta, të enjten në mbrëmje, në një intervistë në Syri.Tv. Ai bëri të ditur se për vendimin e kishte njoftuar djalin e tyre, Besar Meta, 24 vjeçar, i cili, sipas tij, u kishte kërkuar të dy prindërve që të gjenin “një zgjidhje të qetë”.

Të premten, në mbledhjen e kryesisë së Partisë së Lirisë, të cilën e udhëheq, Meta tha se vendimi për divorc ka qenë më i vështiri në jetën e tij.

“Ka qenë vendimi më i vështirë në jetën time. Është i motivuar nga ndarje të papajtueshme që lidhen me kauza të mëdha që janë etike për vendin”, tha ai.

Meta tha se krisja e marrëdhënies së çiftit ka nisur pas vendimit të zonjës Kryemadhi për të djegur mandatet e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, në kohën që ajo e udhëhiqte Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI), partinë pararendëse ë Partisë së Lirisë.

“Marrëdhëniet tona kanë pësuar një krisje të fortë që nga vendimi i saj si kryetare e LSI-së për djegien e 19 mandateve. Qëndrimet e saj krejtësisht në krah të kundërt të kauzave që unë mbroj dhe që krijojnë konfuzion. Duhet të merrrnin fund”, tha ai.

Meta theksoi se vendimi për divorc me zonjën Kryemadhi nuk ka të bëjë aspak me marrëdhëniet e tyre bashkëshortore.

“Mirëkuptoj çdo reagim emocional të gjithëkujt. Detyrimet e mia lidhen me kontributin e qindra-mijëra njerëzve që kanë besuar te unë. Ky vendim i imi nuk lidhet me raportet me të si grua apo si nënë e tre fëmijëve tanë. Nuk po ndahem me një grua për një grua tjetër. U kërkoj shumë ndjesë tre fëmijëve të mi për shqetësimet që ua kam krijuar”, u shpreh ai.

Por, të enjten, gjatë intervistës në televizionin Syri, Meta la të kuptohej se arsye për divirc është edhe qëndrimi i zonjës Kryemadhi ndaj hetimeve që po zhvillon ndaj tij Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK). 

“Monika ishte në dijeni të gjithë veprimtarisë së SPAK-ut kundër bashkëshortit e të gjitha përpjekjeve për të shantazhuar persona të ndryshëm kundër Metës”, tha ai.

“Monika është më afër me SPAK-un se sa me mua. Por, SPAK-u nuk e merr dot peng Ilir Metën, as përmes bashkëshortes, as përmes askujt tjetër”, theksoi Meta.

Javën e kaluar zoti Meta u intervistua mbi tri orë në SPAK. Ai la të kuptohet se bëhet fjalë për një hetim pasuror, por theksoi se me çështje të pronave dhe të financave të familjes është marrë zonja Kryemadhi dhe jo ai.

Zonja Kryemadhi, nga ana e saj, ka qenë shumë e matur në eklaratat e saj lidhur me këtë temë. Ajo ka thënë se “prokurorët po bëjnë punën e tyre”.

Tronditja e marrëdhënieve mes Metës e Kryemadhit u shfaq publikisht kur ata shkëmbyen kritika ndaj njëri-tjetrit në mbledhjet e forumeve drejtuese të Partisë. Zonja Kryemadhi nuk u zgjodh në strukturat drejtuese të partisë.

Zoti Meta nuk jeton në shtëpinë e familjes prej disa muajsh. Edhe në kërkesën për divorc drejtuar Gjykatës së Tiranës ai e ka paraqitur si adresë të tij adresën e Partisë së Lirisë.

(r.m.)