R.SH. – Vatikan
Sot më 7 shtator bie 30 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Selisë së Shenjtë e Shqipërisë. Ato u lidhën më 7 shtator 1991 në rangun e Nunciaturës Apostolike për Vatikanin e të Ambasadës për Shqipërinë.
Në të vërtetë marrëdhëniet diplomatike mes Vatikanit e Shqipërisë kanë një histori më të hershme, që para periudhës së diktaturës komuniste, por ishte pikërisht qeveria komuniste e Tiranës ajo, që ndërpreu marrëdhëniet me Vatikanin me dëbimin e legatit apostolik, imzot Leone Nigris, si person të “padëshirueshëm”, më 24 maj të vitit 1945.
Kujtojmë se legati apostolik, imzot Nigris, shërbeu në Shqipëri si përfaqësues i Selisë së Shenjtë pranë episkopatit tё vendit, që nga viti 1938 e deri mё 11 tetor tё vitit 1945.
Me rënien e komunizmit, mund të themi se marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Vatikanit e Shqipërisë kanë vijuar e vijojnë me fryte për të dyja palët, duke filluar nga 7 shtatori 1991.
30-vjetori i tyre rrëfen për një lidhje historike dhe të vazhdueshme, që përshkoi papninë e Gjon Palit II e vijoi të forcohet nën papninë e Benediktit XVI dhe tё Françeskut. Këta tre Papë, si edhe paraardhësit e tyre gjatë shekujsh, kanë treguar gjithnjë kujdes e vëmendje të veçantë ndaj popullit shqiptar e Kishës në trevat shqiptare, duke ndërmjetësuar e ndihmuar vazhdimisht për përparimin e Vendit të shqiponjave e jo më pak, të Kosovës. Por, për një reflektim mbi marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-Seli e Shenjtë e për hapat, që duhen bërë në të ardhmen, të dëgjojmë Sekretarin e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Gjergj Metën, ipeshkëv i Rrëshenit…
radio Vatikani