“Njeri i komunikimit dhe bashkëpunimit”
Ditët po kalojnë, koha po rrjedh, festat e Pashkëve erdhën, në këtë kohë pandemie, ku shpesh herë dëgjojmë vetëm lajme të kobshme: vdiq…!
Po, Dikush vdiq dhe u ngjallë, për ne dhe për shëlbimin tonë – Jezu Krishti, dhe në dritën e ngjalljes së tij, me fe të gjallë dhe të fortë, edhe ne duhet ta pranojmë vdekjen – kalimin në amshim të miqve dhe vëllezërve – motrave tona, që sigurisht, tek ne shkaktojnë dhembje, pikëllim, zbrazëti, mangësi, por edhe shpresë, siguri, që prapë do të jemi së bashku – një, me Jezusin e ngjallur, dhe me njëri – tjetrin.
Me Anton Serreqin më lidhte një miqësi, vëllazëri, bashkëpunim, komunikim më se 50 vjeçar, nga koha kur unë isha famullitar në Ferizaj, ndërsa Antoni ishte një gazetar sportiv, aktivist, shqiptar, katolik i bindur dhe me jetë në Shkupin tonë. Në “kartotekën” e mendjes dhe zemrës time kam shumë kujtime dhe përjetime.
Ja vetëm disa nga thesari ynë i përbashkët. Ishte diku viti 1980. Erdhi një djalosh dhe kërkoi një takim dhe bisedim. Si gjithmonë, e pranova, pa pyetur kush ishte dhe pse kishte ardhur. Më tha: “Jam Anton Serreqi, me rrënjë nga Ferizaji, nipi i martirit të lirisë, Gjon Serreqit. Erdha të njihemi dhe takohemi, dhe mundësisht të bashkëpunojmë për shumë çështje të hapura dhe të përbashkëta…”
Takimi dhe biseda jonë ishte e këndshme dhe e dobishme, krijoi një urë miqësie dhe vëllazëri, që nuk u ndërpre më kurrë.
Hetova që Antoni ynë ishte një njeri parimor, me bindje dhe përcaktime të qarta, shqiptar dhe katolik në Shkup, në kohën e monizmit dhe të komunizmit. Të rrallë ishin aso kohe njerëzit tanë.
Hetova që i përngjante axhës, Gjon Serreqit, për kah guximi dhe pikëpamja kombëtare, ndërsa fetarisht ishte një katolik me krejt qenien e tij, bashkëpunëtor i ngushte i të ndjerit Don Gaspër Gjinit.
Në fund të takimit më tha në mënyre profetike: “Njerëzit tanë, mendoj shqiptarë dhe katolikë, që nga tërmeti i vitit 1963, u shkapërderdhën… Kemi mbetur pak dhe larg Zotit dhe njëri – tjetrit. Të lutëm, na ndihmo dhe na përkrah te Imzot Nikë Prela…”
Pas Demonstratave në Prishtinë, Kosovë, të vitit 1981, takimet tona ishin shpeshtuar. Antoni kishte hetuar që “perdja e hekurt” po lëvizet dhe shkatërrohet…
“E ne, a jemi gati për kohë të re dhe ngjarje të mëdha” ishte pyetja e tij.
Çdo udhëtim dhe punë në Shkup, si pikë referimi kishte Antonin, “musteqakun” simpatik, i cili kishte tri dashuri: Zotin, Popullin Shqiptar dhe familjen.
Bashkëpunimi ynë ishte thelluar me vizitat e Nënës Tereze në Shkup, në Kosovë, sidomos në vitet: 1979, 1980, 1982, 1986. Ai, nëpërmjet shkrimeve të DRITËS, si dhe botimeve, sidomos Nëna jonë Tereze, ishte tashmë i lidhur me Nënën tonë të përbashkët, bënte hapa konkret për njohjen dhe pranimin e saj ndër Shqiptarë në Maqedoni, pa përjashtuar edhe të tjerët.
Çdo meshtarë apo murgeshë shqiptare e Ipeshkvisë sonë dikur Shkup – Prizren, tash Prizren – Prishtinë, në Antonin kishim në “ambasador” për shumë punë, çështje, udhëtime, dokumente…
Banesa e tij ishte shndërruar në “çerdhe” dhe strehimore për ne. Me mish e me shpirt ishte angazhuar në formimin e Shoqatës “Nëna Tereze”, në shumë ndihma humanitare, sidomos gjatë krizës së madhe në Kosovë gjatë viteve 1998 – 1999. Mirëpo, nuk e lente anësh as veprimtarinë kulturore dhe shpirtërore. Çdo seminar, simpozium, akademi kushtuar Nënës Tereze, ai e kishte “gishtin” e tij, ose si organizator, ose si pjesëmarrës.
Mua më informonte për çdo gjë, ishte i lumtur, thënë të vërtetën, edhe unë isha i lumtur dhe shumë i kënaqur, kur ishim së bashku. Disa miq tanë të përbashkët, filluan të na quajnë “dueti” i Nënës Tereze, si e quanin dikur duetin Gonxhe dhe Age Bojaxhiun, “bilbilat e Shkupit” në korin e Tetarit të Shkupit, si dhe në korin e Katedrales së Zemrës së Krishtit.
Një ngjarje paharrueshme dhe e përbashkët ishte Shpërblimi “Poslano za 2000 god. Majka Tereza” Dr. Don Lush Gjergji, nga Kryetari Maqedonisë së atëhershme. Boris Trajkovski. Motivi ishte ky: për humanizëm dhe kontribut në njohjen e jetës dhe veprës së saj në botë. Më dhuruan shtatoren në bronz, në miniaturë, që gjendet para Shtëpisë – Muze në Shkup.
Më ftuan për një fjalë rasti në Kuvendin e Maqedonisë, në praninë e Kryetarit, shumë parlamentarëve, akademikëve, njerëzve të shkencës, kulturës, shkencës, artit. Fjala ime e parë ishte kjo:“Më falni, unë nuk e njoh gjuhën tuaj të bukur, maqedonishten. Prandaj do të flasë në gjuhën e Nënës Tereze, që është edhe gjuha ime, ndërsa Anton Serreqi do të përkthejë fjalën time…”
Heshtje, befasi, mosbesim ndër pjesëmarrës. Mu kujtua thënia popullore: “Me një të ramë, dy të vramë.” Të nesërmit, të gjitha gazetat e Shkupit, shqip apo maqedonisht, si kryetitull e kishin këtë ngjarje: Në kuvend u fole gjuha shqipe!!!
Nuk mund të anashkaloj gëzimin dhe ngazëllimin e tij për lumturimin dhe shenjtërimin e Nënës Tereze, punën rreth rivarrosjes së eshtrave të Kolë Bojaxhiut, babait të Nënës Tereze, simpoziumin kushtuar jetës dhe veprës së tij kombëtare, fetare, kulturore dhe shoqërore.
Kemi pasur shumë intervista të përbashkëta radio – televizive kushtuar Shenjtëreshës sonë, takime të shumta në Shkup, nëpër Maqedoni, në Letnicë, në Prizren, në Prishtinë.
Edhe në jetën shoqërore dhe kulturore të Maqedonisë pati role dhe detyra me rëndësi të veçantë: ishte drejtori i Radio Maqedonisë, nëndrejtori i zyrës qeveritare për marrëdhënie me fe, kryeredaktor i programeve sportive…
Të gjitha i kryente me përkushtim dhe dashuri, mbi të gjitha me thjeshtësi dhe shumë përgjegjësi. Në çdo hap në Shkup, por edhe gjetiu në Maqedoni, të gjithë e njehnin dhe përshëndetnin, “Tonin tonë” si shok, mik, bashkëpunëtor, njeri të komunikimit dhe bashkëpunimit.
Çdo takim, ardhje e tij, për mua në Ferizaj, Binçë, Prizren, Prishtinë, ishte festë, gëzim, begatim… Vuante shumë për gjendjen e mjerë të katolikëve shqiptarë në Shkup dhe në Maqedoni…
Pyetja e tij e vazhdueshme ishte kjo: “Deri kur në Shkupin tonë, Shkupin e Nënës Tereze, do të jetë kështu?”
As unë, askush prej nesh, nuk kishte ndonjë përgjigje konkrete. Unë e qetësoja atë, edhe vetveten, duke thënë kështu: “Anton i dashur, çka nuk varet prej nesh, nuk kemi çka të bëjmë…”
Pastaj e citoja Nënën Tereze: “Jepe pjesën më të mirë të vetvetes – zemrën, dashurinë.”
Para Nënës, ai thjesht dorëzohej, buzëqeshte dhe thoshte kështu: “Me ty gjithmonë e humbi duelin, sepse ti je njeri i Zotit dhe i Nënës Tereze… Mirëpo, mos harro që edhe duresa ka masë dhe skaj…”
Po vijmë deri te ditët e fundit të jetës së tij tokësore. Më 26 mars 2021 i shkrova kështu: “Shëndet ty, Anton i dashur, si dhe Reginës dhe Magdalenës…”
Më 28 mars, të Dielën e Larit, ia përcolla këtë porosi: “Lutëm dhe jam me ju! Ju ndihmoftë e Diela e Larit!”
Më 29 mars prapë ia dërgova një urim dhe ilustrim të Javës së Madhe.
M 1 prill 2021, e Enjtja e Madhe, në thirrjen time telefonike, u përgjigj gruaja e tij, Regina. Zëri i saj ishte pikëllues, por edhe shpresëdhënës. Më tha kështu: “Nuk është Antoni në shtëpi. Ai gjendet në spital me Coronavirus dhe gjendja e tij është mjaft e vështirë. Edhe ne dyja jemi me virus, por pak më mirë… Lutu për Antonin dhe për ne… Të gjithë jemi në dorë të Zotit…”
Më 2 prill 2021, ditën e Premtes së Madhe, më telefonoi Dijana Toska nga Shkup. Më tha: “Antoni na la… Dje ka vdekur…” Ja shpreha ngushëllimet e mia asaj, nëpërmjet saj edhe familjes, miqve të përbashkët në Shkup dhe në Maqedoni, kudo gjetiu.
Varrimi ishte të Shtunën e Madhe, më 3 prill 2021 në varrezat e qytetit “Butel”, me pjesëmarrje të dy meshtarëve, familjarëve dhe miqve të tij, kuptohet, në kushte të pandemisë.
Gjatë këtyre Pashkëve gjithnjë me sillej në mend dhe në zemër jeta dhe veprimtaria e tij, e jona e përbashkët… Thjesht nuk mund ta bindi vetveten që Antoni ynë nuk është më në Shkupin tonë, ai që aq shumë e ka dashur Zotin, Kishën Katolike, Popullin shqiptar, çdo njeri.
Më mungon shumë. Për mua Shkup, pas vdekjes së Don Gaspër Gjinit, priftit dhe historianit tonë të njohur, tash edhe Anton Serreqit, më duket si një lloj “varri” i hapur, që më shkakton zbrazëti, dhembje, pikëllim, mungesë, varrë…, që i përballoj vetëm me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë, me sigurinë e amshimit të lumtur me Krishin e ngjallur.
Anton i dashur, është tepër pak të them: faleminderit! Për çdo fjalë, vepër, nisje të mirë, Zoti të shpërbleftë, ndërsa unë kurrë nuk do të harroj në jetën dhe lutjet e mia! Pusho në paqe me Jezusin e ngjallur dhe jeto në amshim të lumtur!
Prishtinë, 11 prill 2021 Don Lush GJERGJI