In Memoriam: Aristir Lumezi

Nga Ruben Avxhiu

 

Aristir Lumezi ishte një gazetar me përvojë dhe i përkushtuar, që e njihte mirë profesionin e tij dhe gëzonte respekt mes kolegëve.

Kemi pasur fatin ta kemi edhe si korrespondent nga Shqipëria për gazetën tonë shqiptaro-amerikane Illyria”, ku punoi për gati dy vjet nën drejtimin e redaktorit Denion Ndrenika.

Ai iu bashkua gazetës sonë në vitin 2013, kur nisëm një prezencë të re në internet dhe rrjetet sociale, duke arritur shumë shpejt mbi 200,000 ndjekës në Facebook dhe rreth një milionë vizitorë në uebsajtin tonë.

Në këtë sukses kishte rol të veçantë edhe kolegu ynë Lumezi, që iu përmbajt kërkesave tona pavarësisht prej angazhimeve të shumta që kishte edhe në shtypin vendas.

Në veçanti, i jemi mirënjohës për mbulimin që i bëri vizitës historike të Veteranëve Shqiptaro-Amerikanë në vitin 2014, që u kurorëzua me vendosjen në Korçë të një Pllake Përkujtimore që nderon shqiptaro-amerikanët të cilët shërbyen në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Reportazhi dhe intervistat e tij ishin nga materialet më të lexuara të asaj kohe.

I ndjeri [Komandanti] Ron Nasson, kryetar i Shoqatës së Veteranëve Shqiptaro-Amerikanë mbeti mirënjohës deri në fund të jetës për kujdesin dhe vëmendjen që i kushtuam asaj vizite.

Aristir Lumezi iu shtua dje numrit padrejtësisht të lartë të gazetarëve shqiptarë që kanë ikur nga kjo jetë përpara kohe. Mbase është rastësi, e mbase është rezultat i një pune shpesh plot stres, të paguar keq, e të përbaltur shumë në një kohë kur komunikimi publik ka ardhur duke degraduar.

I bashkohemi dëshpërimit dhe keqardhjes së kolegëve të tjerë të tij për këtë ikje të parakoshme dhe i shprehim ngushëllimet familjes dhe njerëzve të tij të afërm.

Pushoftë në paqe!

 

(Po postoj këtu një pjesë të intervistës që Aristiri bëri me Ron Nasson: https://www.illyria.com/anijet-amerikane-me-ndihma-ishin-ne-port-por-enver-hoxha-i-refuzoi-se-preu-lidhjet/)