Dha kontribut të shquar në zhvillimin e shëndetësisë publike në Kosovë dhe në edukimin e brezave të mjekëve të rinj
Pak ditë më parë u nda nga jeta Prof. Dr. Isuf I. Dedushaj, një nga figurat më të shquara të mjekësisë në Kosovë.
I lindur në Vuthaj dhe i arsimuar në Pejë dhe në Prishtinë, ai punoi si mjek në Kosovë, u bë studjues e autor i njohur shkencor, epidemiolog, magjistër dhe doktor i shkencave, profesor e intelektual i njohur shqiptar. I specializuar në Sarajevë dhe me temë disertacioni të përgatitur në Zagreb, ai u bë epidemologu i parë shqiptar në Kosovë.
Ka shërbyer në shumë detyra e poste me rëndësi profesionale dhe akademike, në Kosovë dhe në botë mes të cilave edhe shef i Sektorit për Imunizim i Kosovës dhe kryeepidemiolog i Kosovës (1980-1990), kryetar i Shoqatës së Mjekëve të Mjekësisë Publike të Kosovës (2000-2017), kryeshef i Katedrës Preventive 1987-1999, 2000-2004 dhe shef i Katedrës së Epidemiologjisë gjatë viteve 2007-2017, kryetar i Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (2014-2015), anëtar i Bordit Mbikëqyrës të Komisionit Evropian për Ethe Hemorragjike Krime Kongo për Evropë, me seli në Paris, 2011-2018, anëtar i Komitetit Evropian Profesional Shkencor për Zbulimin e Vaksinës kundër EHKK deri në vitin 2021 e të tjera. Ishte bashkautor i zbulimit të Genomit të ri të virusit të Ethes Hemoragjike Krime Kongo i emruar në nomenklaturën mjekësore si virusi “Kosova-Hoti” e të tjera.
Bartës i shumë titujve, dekoratave dhe mirënjohjeve, ai ka drejtuar disa periodikë shkencorë dhe ka botuar një seri punimesh me rëndësi.
Një përmbledhje e shkurtër e jetës dhe veprës së tij të shquar vijon më poshtë.

Isuf I. DEDUSHAJ, MD. MSC. PhD. (1951) – mjek, epidemiolog, magjistër dhe doktor i shkencave, profesor. Lindi në krahinën e Vuthajve – Plavë, më 10.10.1951, në një familje me tradita të larta atdhetare. Shkollimin e kreu në Vuthaj dhe Guci, gjimnazin në Pejë (1970), Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë (në mars 1976). Inkuadrohet në EKMSH (sot IKSHPK) (mars, 1976). Punoi mjek në ShSh, Drenas (prill – nëntor 1976). Mësimdhënës, me honorar, në Shkollën e Mesme të Mjekësisë, Prishtinë (1975-1985). Më pas është zgjedhur asistent i mjekësisë sociale në FMP (1976-1978). Specializoi epidemiologjinë (1980) dhe është epidemiologu i parë shqiptar i Kosovës. Studimet pasuniversitare i kreu në FM, në Sarajevë (1983), me temën “Karakteristikat sociale ekonomike dhe epidemiologjike të tetanosit në Kosovë” (S. K.). Tezën e disertacionit me titull: “Karakteristikat epidemiologjike të fruthit në Kosovë dhe përcaktimi i shkallës së imunitetit kolektiv te kjo sëmundje”(S. K.) e përgatiti në Zagreb dhe e mbrojti në FMP (1986). Titujt akademikë: asistent i lëndës së epidemiologjisë (1980), ligjërues (1983), docent (1987), profesor inordinar (1993), profesor ordinar (1998) dhe profesor ordinar i epidemiologjisë, shëndetit publik dhe etikës (2001). Profesor i Menaxhmentit shëndetësor, Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Mjekësisë 2001-2006. Profesor i Menaxhmentit shëndetësor FMP dhe “VUS”, Austria 2010/2012, profesor në kolegjin mbretëror “ILIRIA”, Prishtinë (2015-2018). Profesor në kolegjin universitar AAB – Prishtinë në Fakultetin e Infermierisë për lëndët etika mjekësore dhe edukimi dhe promovimi shëndetësor – 2019-2021.
Ishte shef i Sektorit për Imunizim i Kosovës dhe kryeepidemiolog i Kosovës (1980-1990), kryetar i Komitetit për HIV/ AIDS në Kosovë dhe anëtar i Komitetit për HIV/ AIDS dhe sëmundje ngjitëse të ish-Jugosllavisë (1986-1990), anëtar i grupit punues për preparate imunologjike në ASHAJ – Kroaci (1984-1990), kryeshef i Institutit të Epidemiologjisë (1986 – 1990), kryeredaktor përgjegjës i revistës “Shëndeti” (1981-1990). Në vitin 1990 përjashtohet nga puna nga pushteti serb, për shkaqe etnike dhe politike. Pas vitit 1990 ishte: anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Mjekëve të Kosovës (1990 – 1999), redaktor përgjegjës për Librin Universitar (Mjekësi) në UP (1992 – 1997), anëtar i Redaksisë së revistës shkencore “Praxis Medica” (1992 – 2002), anëtar i Forumit të Intelektualëve të Kosovës (1992 – 1994), Kryetar i Kryqit të Kuq të Kosovës (1992 – 2001), prodekan në FMP – të mëvetësishëm (1991-1997). Doktor Dedushaj ishte aktiv edhe në çështjet e sensibilizimit të situatës politike të Kosovës, veçmas të gjendjes së shëndetësisë: Në dhjetor të vitit 1992, së bashku me anëtarë të tjerë të Grupit për Shëndetësi, mbajnë takim me ambasadorin Arens, në OKB, Gjenevë. Gjatë pesë ditëve paraqesin dëshmi për gjendjen në Kosovë, në Parlamentin Evropian, shkurt 1993. Në dhjetor 1992 – dëshmi në ICRC dhe IFRC në Gjenevë për problemet sociale dhe shëndetësore në Kosovë, maj 1994; takime në OKB, Nju-Jork, dëshmi për gjendjen shëndetësore dhe sociale në Kosovë, qershor 1994; takime të nivelit të lartë me zyrtarë të ICRC-së dhe të IFRC-së në OKB, Nju-Jork, qershor 1995, në OKB, N.Y.; takime me UNICEF-in dhe Lëvizjen për Paqe të ShBA; takime me dhjetëra ambasadorë në OKB; dëshmi për Kosovën, takime me Kryqin e Kuq Kanadez 1995, 1997, pritje në Ministrinë e Jashtme të Kanadasë. Etj.
Takime të nivelit të lartë të Kryqit të Kuq të Kosovës me Hënën e Kuqe Turke, Kryqin e Kuq Zviceran, Gjerman, Shqiptar, Belg, etj. Takime me ambasadorë, kongresistë, senatorë dhe burrështetas të tjerë në Prishtinë. Për shkak të aktivitetit të tij në dobi të çështjes kombëtare, është arrestuar dhe është nga policia serbe në vitet 1990, 1994, 1998.
Nga qershori i vitit 1999 kthehet në IKSHP, pas një dekade, dhe vazhdon punën dhe zgjidhet në këto funksione: drejtor i Departamentit të Epidemiologjisë në IKSHP të Kosovës (1999-2001), kryetar i Shoqatës së Mjekëve të Mjekësisë Publike të Kosovës (2000-2017), drejtor i IKSHP-së të Kosovës (2001-2006), dekan i FMP-së (2006-2007), Kryetar i Komitetit Nacional dhe PZI për Kosovën 2004-2017, drejtues i Komitetit për Hulumtime Shkencore në IKSHPK (2006-2018), kryetar i Komisionit për shkencë i FMP-së, tri mandate, kryeshef i Katedrës Preventive 1987-1999, 2000-2004 dhe shef i Katedrës së Epidemiologjisë gjatë viteve 2007-2017, kryetar i Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (2014-2015), anëtar i Bordit Mbikëqyrës të Komisionit Evropian për Ethe Hemorragjike Krime Kongo për Evropë, me seli në Paris, 2011-2018, anëtar i Komitetit Evropian Profesional Shkencor për Zbulimin e Vaksinës kundër EHKK deri në vitin 2021. Bashkëautor i zbulimit të Genomit të ri të virusit të Ethes Hemoragjike Krime Kongo i emëruar në nomenklaturën mjekësore si virusi “Kosova-Hoti”
Ka botuar tekstet:
1.VAKSINIMET KUNDËR SËMUNDJEVE NGJITËSE (1994), 2. EPIDEMIOLOGJIA – Parimet dhe praktika, UP (1997), 3. AIDS – SIDA – Sëmundje që vret (1998) (ribotuar më 2000) nga IFRC, Gjenevë. 4. IMUNOPROFILAKSIA, FMP (2002). 5. Epidemiologjia speciale e sëmundjeve ngjitëse – UP (2005). MONOGRAFITË: 1. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (1925-2005), Prishtinë, 2005. 2. ASHSH, FESH, Zërat për Mjekësinë e Kosovës, (2008,2009) 3. Grup i autorëve, “KOSOVA”, ASHA e Kosovës (2011). 4. “Pjesë nga historia e mjekësisë botërore dhe shqiptare e Kosovës nga antika e deri sot” (2022). 5. Monografia Gjerg Minga 70- vjetori i lindjes, bashkautor, Prishtinë, 2011, 6. Historia e Farmacisë Shqiptare, në botim, 7. Monografia Peja, bashkautor, Pejë, 2018; 8. Fjalori Enciklopedik i Kosovës, ASHAK, Redaktor dhe shkrues i zërave për mjekësi, 2018, 9. Enciklopedia e doktorëve të shkencave të mjekësisë shqiptare gjithandej globit (1445-2019) dhe mjekëve që lanë gjurmë të pashlyera në Historinë e mjekësisë shqiptare, OMK, Prishtinë, 2019, 10. 50-vjjetori i Fakultetit të Mjekësisë Prishtinë 1969-2019 – Gjenerata e parë, Monografi, Prishtinë, 2019. Ka botuar mbi 220 punime shkencore dhe profesionale (autor dhe bashkautor) në revista shkencore të mjekësisë, brenda dhe jashtë vendit. Ka qenë mentor, kryetar dhe anëtar i 25 doktoratave (3 jashtë Kosovës), i mbi 110 magjistraturave dhe diplomave për master, recensues i mbi 10 teksteve dhe monografive dhe drejtues i rreth 150 specializimeve nga mjekësia preventive. Për ngritjen e vazhdueshme profesionale dhe vizita shkencore, ka qëndruar në disa universitete të njohura në ShBA dhe Evropë. Ka qenë trajner dhe ligjërues në vend dhe jashtë.
Bartës i shumë mirënjohjeve, prej të cilave veçojmë: Plaketa e Artë e Kryqit të Kuq të Kosovës (1985); Medalja e Argjendtë nga Partia Demokristiane e Kosovës (1993); Diploma e OBSH – Kopenhagë “Meritat në çrrënjosjen e poliomielitit në Evropë”; “Plaketa e Artë” në 80-vjetorin e ekzistimit të IKSHPK (2005); Medalja e Argjendtë e Bibliotekës së Aleksandrisë (2006); Plaketa e KFOR-it për arritjet në mjekësinë publike; Plaketa e Artë për Merita në Punë nga Presidentja e Kosovës (2016); Mirënjohja e OBSH për vepër jetësore (2016); Globi i Kristaltë nga Mbretëria e Bashkuar etj.
Pamje nga lamtumira e fundit për Prof. Dr. Isuf I. Dedushaj:



