Incident në Aeroportin e Shkupit: Sigurimi tentoi t’ia merrte telefonin personal Presidentes Osmani

Prishtinë, 1 gusht 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është ballafaqur me një sjellje të papranueshme të personelit të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, të enjten, më 1 gusht. Një pjesëtar i sigurimit në këtë aeroport ka tentuar t’ia marrë Presidentes Osmani telefonin e saj personal dhe ta shtyjë fizikisht, gjatë udhëtimit të saj për në Slloveni.

Këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, e ka konfirmuar këtë veprim, të cilin e ka cilësuar si shkelje të rëndë të praktikave ndërkombëtare të lëvizjes së udhëheqësve shtetërorë.

Kupina ka treguar se Presidentja Osmani ka refuzuar ta dorëzojë telefonin, duke e cilësuar sjelljen e zyrtarit të sigurisë në aeroport si provokim të ndonjë incidenti.

“Nuk është lejuar në asnjë mënyrë dorëzimi i telefonit personal. Sjellja e zyrtarit të aeroportit është e paprecedentë dhe nuk ka ndodhur kurrë në udhëtimet e presidentes”, ka thënë ai për Telegrafin.

Kupina ka thënë se zyrtari i sigurisë në aeroport ka tentuar ta shtyjë fizikisht Presidenten, por sigurimi i saj i ka dalë në mbrojtje.

“Ekipi i Presidentes ia shpjegoi rregullat zyrtarit të aeroportit, por ai tentoi fizikisht ta shtyjë presidenten, çka e detyroi Policinë e Kosovës të ndërhyjë për ta hapur rrugën. Kjo sjellje është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave krerët e shtetit mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike,” ka thënë Kupina.

Ai ka thënë se përkundër rregullave, pala maqedonase ia ka marrë presidentes Osmani çantën personale të saj, ndërsa shoqëruesit e Presidentes e kanë shoqëruar ate në hapësirën VIP, e cila ishte rezervuar nga Ambasada e Kosovës në Shkup.

Kupina ka thënë se Presidentja Osmani e kishte njoftuar për këtë skandal diplomatic kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili ka reaguar dhe i ka dale në krah Presidentes Osmani.

Por, Kupina ka treguar se autoritetet e Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit e kanë vonuar pa asnjë arsye fluturimin e aeroplanit me të cilin ka udhëtuar Presidentja. Ai ka thënë se aeroplani komercial me të cilin po udhëtonte Presidentja Osmani nuk është lejuar të fluturojë për më shumë se një orë, me pretekst se autoritetet sllovene nuk po e lejonin nisjen, gjë që është mohuar nga autoritetet e Sllovenisë.

“Kabineti i presidentes e kontaktuar palën sllovene, e cila e ka mohuar këtë” ka thënë Kupina.

Ai ka treguar se Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit është njoftuar me notë verbale nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, sipas rregullave diplomatike dhe siç bëhet në secilin shtet.

Kupina ka thënë se Presidenca e Kosovës e konsideron këtë sjellje të autoriteteve të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit si sulm ndaj integritetit dhe dinjitetit të udhëheqësve shtetërorë dhe ndaj shtetit të Kosovës.

“Republika e Kosovës asnjëherë nuk ka trajtuar në këtë mënyrë presidentët e vendeve të tjera dhe nuk do ta lejojë një situatë të tillë”, ka theksuar Kupina.

(r.m.)