Nju Delhi, 3 qershor 2023 – Përplasja e dy trenave me pasagjerë në lindje të Indisë, shkaktoi vdekjen e më shumë se 280 personave dhe plagosjen e rreth 900 të tjerëve. Autoritetet thonë se ky është aksidenti më i rëndë hekurudhor që ka ndodhur në vend ndër dekada.
Skena kaotike shpërthyen pas përplasjes së trenave të premten në mbrëmje në një zonë rreth 220 kilometra në jugperëndim të Kalkutës. Shumë njerëz u panë tek hipnin mbi vagonët e përmbysur duke thyer dyer e dritare, në përpjekje për të nxjerrë të mbijetuar.
Numri i të vdekurve u rrit vazhdimisht gjatë gjithë natës. Në operacionet e kërkim-shpëtimit u përfshirë forca të ushtrisë e helikopterë.
“Kjo është një ngjarje shumë, shumë tragjike. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë në karrierën time”, tha për ‘Associated Press’, Sudhanshu Sarangi, drejtor i departamentit të zjarrfikësve dhe emergjencave në shtetin Odisha.
Autoritetet po hetojnë për të gjetur shkakun e këtij aksidenti të rëndë.
Ngjarja vjen në një kohë kur Kryeministri Narendra Modi është përqendruar në modernizimin e rrjetit hekurudhor të epokës koloniale britanike. Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të përmirësuar sigurinë hekurudhore, në vendin më të populluar në botë me 1.42 miliardë banorë, në Indi ndodhin çdo vit disa qindra aksidente hekurudhore.
Zoti Modi vizitoi vendgjarjen e më pas u nis për në kryeqytetin e shtetit Odisha për t’u takuar me të plagosurit që po trajtohen në spitale.
Të shtunën zoti Modi pritej të merrte pjesë në ceremoninë e inaugurimit të një treni me shpejtësi të lartë, që do të udhëtojë nga Goani në Mumbai. Treni është pajisur me një sistem që shmang përplasjet. Ngjarja u anulua pas aksidentit të së premtes. Trenat që u aksidentuan nuk ishin të pajisur me një sistem të tillë.
(Zëri i Amerikës)