(Vlerësime për romanin “Përjetësi pa kohë” të Robert Martikos)
Thanas L. Gjika
Në panairin e librit në Tiranë shkrimtari Robert Martiko u paraqit sivjet me romanin dinjitoz “PËRJETËSI PA KOHË” Botimet JOZEF Durrës, 2021, 473 faqe.
Krijuesi Martiko karakterizohet nga trajtimi i temave shoqërore filozofike. Ai është bir i një komunisti idealist shqiptar që e pësoi prej diktaturës së Enver Hoxhës, sepse idealizmi dhe ndershmëria e tij pengonin ecurinë e kësaj diktature. Babai i tij, Dino Martikua, kishte qenë një pjesëmarrës i ndershëm i Luftës Antifashiste në krahun e partizanëve, por gjatë luftës dhe pas saj prania dhe veprimet e tij i zhvlerësonin komunistët servilë e karieristë, të cilët morën dhe mbanin poste të pamerituar. Prandaj ata u përpiqën me çdo kusht ta nënshtronin për ta bërë si veten, por meqënëse nuk ia arritën këtij qëllimi, luftuan për ta eleminuar fizikisht, krim të cilin e realizuan gjatë burgimit të tij të dytë.
Për ta zbërthyer thelbin e vërtetë të së keqes që mbizotëroi në vendet e kampit komunist, Roberti e ndërton subjektin e romanit të ri duke vendosur në qendër fatin e një familjeje ruse në vitet 1925-1937. Në këto vite diktatura komuniste e shtetit të parë socialist nën sundimin e Stalinit e shpalosi karakterin e saj kriminal më hapur se më parë. Ky karakter çnjerëzore i sistemit socialist, i maskuar me propagandë për krijimin e “njeriut të ri dhe mirëqenie të popullit” u riprodhua mbas L2B në gjithë vendet që përqafuan sistemin komunist.
Zbërthimi i thelbit të vërtetë të gjendjes politike, ekonomike e morale të shoqërisë sovjetike realizohet përmes thurrjes së një subjekti të thjeshtë, ku rrëfehet jeta e një familjeje me tre persona. Artistikisht subjekti është ndërtuar në formën e shënimeve të një ditari, që mban djali i vetëm i familjes së Igor Gruzinskit dhe Natali Vilnëv. Në fillim ngjarjet renditen jo në rrjedhë lineare kronologjike, po me kapërcime, ashtu si zhvilloheshin bisedat e prindërve të cilat i përgjonte djali i tyre Sergej (Serzhi). Nga këto shënime mësohet se komunisti idealist rus Igor Gruzinski, kishte emigruar para Revolucionit të Tetorit në Marsejë të Francës, ku ishte martuar me vajzën e kulturuar franceze Natali Vilnëv. Rrethanat e sollën që kjo familje me djalin 2-vjeçar të kthehej në Moskë e gënjyer nga propaganda e partisë-shtet për sukseset e arritura në Bashkimin Sovjetik. Në fillim familjes iu dha një vilë shumë e mirë, komunistit idealist iu dha një post i lartë zyrtar. Mirëpo shumë shpejt, pasi u pa se ky komunist nuk ishte kalë karroce, por shprehte mendimet e veta jo konformiste, e arrestuan dhe e kaluan në proces hetuesie. Një funksionar, shok i tij, mundi t’ia ndërpriste procesin hetimor dhe ta lironte. Pas kësaj Igorin e emëruan në një punë të thjeshtë si ekonomist, kurse familjen e strehuan në një dhomë të vetme me një banjë të përbashkët. Sergej (Serzhi), djali po rritej në një atmosferë familjare e shoqërore nën trusninë e vigjilencës së sigurimit. Tensioni shpirtëror i krijuar nga kjo atmosferë bashkë me leximet në frëngjisht të fjalorit enciklopedik “Larousse” të sjellë nga Franca, dhe bisedat e babait rreth heronjve motologjikë dhe të Antikitetit Greko-Romak, bashkë me karakterin kurioz të djaloshit, janë të dhënat që e bëjnë këtë fëmijë të piqet para kohe.
Në mbrëmje Serzhi përgjonte bisedat e prindërve te dhomëza e vogël, që krijuan prindërit duke e ndarë dhomën në dy pjesë. Të nesërmen ai mbante shënimet e veta duke i shoqëruar me komente dhe meditime, që vijnë duke u pjekur gjithnjë e më shumë. Dëgjimi i bisedave të prindërve mbushur me arsyetime kritike ndaj politikës së udhëheqjes së partisë bollshevike dhe të shumë episodeve që u ndodhnin kuadrove të lartë të partisë e shtetit, e ndihmuan Serzhin të formohet si një gjimnazist disident. Pas dy vjetësh, Serzhi duke zhvilluar disa biseda me prindërit la të kuptohej se ishte pjekur dhe këta e pranuan si bashkëbisedues të tyre.
Falë njohurive të thella të prindërve, ai arriti të bënte dallimin midis Rilindjes Evropiane dhe shoqërisë ruse. Duke hyrë në thelbin e thellë të gjërave, arriti të dallojë se Rusia, edhe pse me popullsi fshatare në masën 93%, përqafoi gabimisht e para teorinë marksiste. Kjo ishte një paradoks i madh pasi Marksi, krejt ndryshe, priste triumfin e revolucionit proletar në vendet me kapitalizëm të zhvilluar në trajtën superiore, më maksimale, si në SHBA, Gjermani, Francë, Itali, etj. Pikërisht në këtë pikë kapet autori për të shpjeguar shkaqet e një fenomeni të panjohur deri më sot në shoqërinë shqiptare, në mënyrë krahasuese të lidhur me Rilindjen Evropiane, kur u krijua njeriu i lirë, i përgjegjshëm si qenie shoqërore.
Shumë shpejt jeta e kësaj familjeje përfundoi tragjikisht. Babain e arrestuan për të dytën herë. Pas disa muajsh në hetuesi, meqënëse nuk pranonte të shkruante deponime të gënjeshtërt për shokë e kolegë të tij, Igorit i shpunë aty djalin e tij. E kërcënuan se po të mos pranonte të shkruante se kishte marrë pjesë me disa kolegë në një komplot për rrëzimin e pushtetit sovjetik, do ta torturonin djalin në sy të tij derisa t’i merrnin shpirtin.
Për ta sqaruar djalin se pse po ndodhte arrestimi i tyre, dhe pse duhej rezistuar ndaj torturave, babai tha:
“Nuk është në karakterin tonë Serzh të marrim në qafë njerëz të pafajshëm, me akuza jo të vërteta.”
Sapo gjeti rastin, Igori rrëzoi dy policët për tokë dhe goditi me hekurat që i lidhnin duart torturuesin trupmadh, të cilit i çau kafkën. Ky ra mbi shpinën e Serzhit, por pesha e rëndë e tij i theu Serzhit shpinën kurizore. Para se të mbyllte sytë ky iu drejtua babait:
“Kushedi, ndoshta dhe mund t’u rezistoja torturave, për të qenë deri në fund në harmoni me bindjet tona, për të mos ndërtuar lumtërinë tonë me fatkeqësinë e tjetrit.” Pas disa javësh, Igorin e pushkatuan, kurse Natalia vdiq nga hidhërimi…
Njerëz që nuk pranonin të gënjenin, të spiunonin, të ndërtonin lumtërinë e tyre mbi fatkeqësinë e të tjerëve, nuk i duheshin diktaturës staliniane…
Serzhi, Igor Gruzinski dhe Natali Vilnëv përbëjnë grupin e heronjve të veprës. Të tre janë personazhë të krijuar me sukses nga fantazia pjellore e autorit. Për ta plotësuar rrëfimin e jetës së tyre, autori ka krijuar, po prej fantazisë së vet, dhe disa personazhë të tjerë, si mësuesen Samoillova, nxënës e shokë shkolle të Serzhit, si Raisa bashkë me babain dhe nënën e saj, si dhe disa personazhë të tjerë episodikë.
Të gjitha ngjarjet që lidhen me jetën e familjes Gruzinski janë krijuar prej autorit dhe janë vendosur drejt në rrethana historike e gjeografike të besueshme .
Krahas tyre gjallojnë një mori personazhesh që përfaqësojnë kuadro të lartë të partisë e të pushtetit sovjetik, si Stalini, bashkëshortja Nadjezhda Alillujevna, fëmijët e tyre, vëllai i saj; funksionarët partiakë si Molotovi, Kirovi, Sergo, Kalinini, Mikojani, Kaganoviçi, Menzhinski, Jagoda, Jezhovi, Beria dhe shumë të tjerë. Kjo kategori personazhesh, paraqitet në roman me vërtetësinë e njohur historike si njerëz të nënshtruar, gjakësorë, vegla të verbra në duart e Stalinit, terroristë të terrorizuar, krejt ndryshe nga sa i paraqiste dikur propaganda komuniste në Bashkimin Sovjetik.
Ndonëse këta personazhësh historikë që veprojnë në rrethana historike e gjeografike të caktuara përbëjnë shumicën e personazhëve të veprës, përsëri romani “Përjetësi pa kohë” nuk është një roman historik, sepse kjo kategori personazhësh futet në vorbullën e romanit për të shtjelluar idetë e problemet që trajton autori përmes treshes së heronjve kryesorë. Idetë e shumta shoqërore, morale, filozofike, kompozicioni tepër origjinal, stili i shkathët letrar, gjuha e përpunuar artistike dhe karakteret e shumtë letrarë i kanë dhënë këtij romani tiparet e një vepre letrare filozofike të spikatur.
“Përjetësi pa kohë” është një roman ku gërshetohen narracioni, meditimi, rrëfimet për heronj të ndryshëm mitologjikë, legjendarë, historikë dhe heronj të krijuar nga fantazia e autorit, të përballur me jetën e nënshtruar, të përditshme nën tmerrin e diktaturës staliniste, ku çdo ditë e më tepër shkatërrohej karakteri i popullit rus. Aty rrënoheshin në mënyrë tragjike përpjekjet e shkrimtarëve të famshëm klasikë rusë, kultura ndriçuese e të cilëve nuk mundi të shmangte dot Revolucionin e Tetorit, siç ndodhi në Perëndim, për hir të Rilindjes Shpirtërore.
Sipas autorit, ideja bazë e romanit “Përjetësi pa kohë”, në gjuhën e filozofisë perëndimore, do të thotë se shoqëria fillon të jetë e lirë, vetëm kur lind dhe zhvillohet ndjenja e përgjegjësisë ndaj tjetrit. Prandaj Roberti fton lexuesin që më parë se të diskutojë apo shkruajë për diçka, të ketë në mendje një pikë referimi, që nuk është gjë tjetër përveçse Rilindja Evropiane, kultura ndriçuese dhe rilindëse e së cilës, ndan si me thikë dy botë.
Duke pasur parasysh këtë ide, lexuesit i jepet mundësia të qartësojë mendimin se disa shoqëri, si ato Perëndimoret, kanë aftësinë të shmangin luftën civile, të tjerat gjejnë te vëllavrasja ambientin më natyror ku shpërthejnë instinktet më të ulëta. Pikërisht në këtë terren stimulohen zilia, veset, prishja e karakterit dhe e moralit, keqdashja, spiunllëku, karrierizmi, narcizmi, armiqësia, përçarja, etj.
Idetë filozofike dhe morali që buron në faqet e romanit të Robert Martikos, mendoj se do të ndihmojnë tek ne shqiptarët, kudo ku jetojmë, të ecim drejt përmirësimit të karakterit. E them këtë sepse edhe ne shqiptarët që jetojmë në diasporë ku është e realizuar në praktikë shoqëria e lirë demokratike, ende nuk jemi çliruar prej ndjenjave si zilia e keqdashja, që na ishin brumosur gjatë edukimit familjar e shoqëror nën zgjedhat e huaja e sidomos nën diktaturën komuniste. Shpesh herë dëgjon midis nesh të thuhen:
“E ç’ të vete tek dyqani i shqiptarit; e pse të marr ustallarë shqiptarë për të ndrequr një defekt të shtëpisë sime; u lodha me shqiptarët; shiko se ç’ bën filani, etj”. Të tilla shprehje helmojnë brezin tonë të ri, na përçajnë dhe nuk lejojnë krijimin e lobit shqiptar në diasporë, lob i cili duhet krijuar sa më parë për të ndikuar në ecurinë e shpejtë të mbarë shoqërisë shqiptare.
Mbi të gjitha, autori ka vlera të dukshme si intelektual i ndriçuar pasi fton vetë mendimin më të lartë shqiptar, të shikojë të kaluarën nën prizmin e mungesës së asaj çudie të madhe që ndodhi në Evropë duke filluar nga Rilindja Evropiane. Ndodhi për herë të parë në historinë e njerëzimit që mendjet më të ndritura të kohës, korrigjuan traditën Mesjetare duke bërë të mundur jo vetëm realizimin e suksesit të tyre kulturor, por njëkohësisht duke treguar edhe një rrugë të re për njerëzimin.
Pra, Robert Martiko, në romanin “Përjetësi pa Kohë”, na thotë: “le të organizojmë mendimin e kualifikuar, për të ndjekur atë rrugë të sprovuar evropiane, të vërtetuar plotësisht në praktikë, duke u përpjekur të braktisim përçarjen mishngrënëse historikisht pa rrugëdalje, që nuk na është ndarë në shekuj”.