Inspektori i Përgjithshëm i AKI-së, Burim Ramadani, thirret dëshmitar në Gjykatën Speciale

Prishtinë, 23 maj 2022 – Gjykata Speciale në Hagë e ka ftuar Inspektorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, në cilësinë e dëshmitarit.

“AKI njofton opinionin publik se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dërguar fletëthirrje për dëshmitar për Inspektorin e Përgjithshëm të AKI, Burim Ramadani”, thuhet në njoftimin e AKI-së.

Në njoftim thuhet se në fletëthirrje precizohet se Ramadani urdhërohet të paraqitet si dëshmitar për t’u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në datën e caktuar dhe i është kërkuar që “të ofrojë detaje në lidhje me lokacionin e tij fizik dhe gjeografik gjatë kohës së luftës dhe të ofrojë dokumentacion, përfshirë këtu edhe fotografi dhe të dhëna tjera nga periudha nga 1 janar 1998 deri 31 dhjetor 2000”.

“Ramadani është plotësisht i vetëdijshëm për obligimet ligjore në raste të këtilla, sikurse edhe që beson se ky është një gabim teknik dhe si i tillë do të qartësohet më tutje”, thuhet në njoftim.

(r.m.)