Jemi të bekuar që gëzojmë përkrahjen e Amerikës

Intervistë me Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës në New York, Ambasadorin Bekim Sejdiu

Është me rëndësi të potencohet se puna me diasporën tonë në SHBA zë një vend të rëndësishëm në planifikimet tona për vitin 2013. Kjo do bëhet në bashkërëndim edhe me Ministrinë e Diasporës së Republikës së Kosovës. Besoj shumë se do ketë bashkëpunim në këtë drejtim edhe me rrjetin diplomatik, përkatësisht konsullor, të Republikës së Shqipërisë.

 

Cilat ishin karakteristikat kryesore të zhvillimeve, veprimtarive dhe aktiviteteve që pati Konsullata e Prëgjithshme e Kosovës në New York gjatë vitit të kaluar?

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në New York ka funksion të dyfishtë. Së pari, Konsullata kryen të gjitha funksionet klasike konsullore. Së dyti, duke qenë se Kosova nuk është ende shtet anëtar i OKB-së, Konsullata kryen funksione që lidhen me komunikimin dhe marrëdhëniet e Kosovës me OKB-në dhe misionet diplomatike në OKB të shteteve anëtare të kësaj organizate.

Gjatë viteve të shkuara, që nga funksionalizimi i Konsullatës, është bërë punë sistematike dhe janë shënuar rezultate të prekshme në të dyja segmentet. Sigurisht, personeli i Konsullatës, duke filluar nga ish-Konsullja e Përgjithshme, znj. Arta Rama, meriton përgëzime për punën e bërë.

Që nga muaji gusht të vitit të kaluar, kur unë kam filluar funksionin e Konsullit të Përgjithshëm, veprimtaria jonë ka qenë e përqëndruar në disa drejtime të ndryshme. Këtu hyjnë: veprimtaritë që kanë të bëjnë me OKB-në dhe me misionet e huaja diplomatike në New York; bashkëpunimi në fusha të ndryshme me shtetin e New York-ut dhe, në një masë më të vogël, me shtetet përreth; puna me diasporën tonë në SHBA, si dhe ofrimi i shërbimeve konsullore për shtetas tanë dhe persona dhe entitete të tjera.

Për sa i përket OKB-së dhe punës me misionet diplomatike, vlen të veçohen disa momente, si vizita në New York e delegacionit të lartë shtetëror të Republikës së Kosovës, gjatë zhvillimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, si dhe realizimi i një agjende të ngjeshur takimesh dhe aktivitetesh të tjera nga ky delegacion. Ndërkohë që kemi patur dy debate në Këshillin e Sigurimit për Kosovën, ku Republika e Kosovës është paraqitur me dinjitet dhe profesionalizëm. Një moment tjetër me rëndësi ishte njohja e Kosovës nga shtatë shtete, që nga muaji gusht, me ç’rast Konsullata ka luajtur rolin që i takon në formalizimin e këtyre njohjeve.

Në anën tjetër, Konsullata ka patur një bashkëpunim intenziv me diasporën tonë në SHBA. Vlen të veçohet fillimi i procesit të paisjes me mjete shkollore të shkollave me mësim plotësues në gjuhën shqipe. Konsullata ka zhvilluar plane konkrete për thellimin e bashkëpunimit me diasporën, sidomos në lëmin e arsimit dhe kulturës, për vitin 2013.

 

 

Cilat ishin aktivitetet tuaja për njohjen e Republikës së Kosovës gjatë këtij viti?

Rritja e numrit të njohjeve ndërkombëtare të shtetit të Kosovës vazhdon të jetë përparësi e dorës së parë e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës. Duke patur parasyshe pengesat dhe sfidat që karakterizojnë këtë proces, mund të them me plot bindje se ky proces ka rrjedhë suksesshëm. Tashmë është e qartë për të gjith akterët ndërkombëtarë se ky proces është i pakthyeshëm.

Ne po punojmë që atë ta përshpejtojmë sa më shumë që të jetë e mundur. Rrjeti i ri diplomatik i Kosovës ka luajtur rol qenësor në rrjedhën pozitive të procesit të njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës dhe forcimit të pozitës së tij në sistemin ndërkombëtar. Në këtë mënyrë, diplomacia e re kosovare ka dëshmuar përkushtim atdhetar dhe seriozitet profesional. Kuptohet, ne kemi fatin e madh që gëzojmë mbështetje të madhe nga aleatë të fuqishëm, duke filluar nga SHBA-të, të cilët i bën të tillë jo vetëm pesha politike dhe ekonomike, por edhe vlerat që reflektojnë ata.

Shtetet e zonës së Karaibeve kanë qenjë një prej caqeve të diplomacisë kosovare dhe të miqve tanë, për sa i përket procesit të lobimit për njohjen e shtetit të Kosovës. Ministri i Jashtëm Hoxhaj dhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë të Kosovës kanë vizituar vende te Karabieve disa herë. Ndërkohë që kontaktet e misioneve diplomatike të Kosovës, duke përfshirë edhe Konsullatën tonë në New York, me diplomatë nga këto vende kanë qenë të vazhdueshme. Njohja nga Komonuelti i Domenikës ishte rezultat i një lobimi të gjithanshëm dhe sistematik, ndërkohë që New York-u ishte një pikë e rëndësishme komunikimi. Besoj se edhe shtetet e tjera të rajonit në fjalë do ndjekin shembullin e Domenikës.

 

Si u punua nga Konsullata e Kosovës në New York për të ndihmuar ose promovuar ekonominë e Kosovës gjatë vitit 2012?

Në fakt, Kosova ka patur rritje të vazhdueshme ekonomike pas shpalljes së pavarësisë. Stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik janë jetik për stabilitetin politik dhe prosperitetin e gjithmbarshëm të çdo vendi. Për ne mbetet sfidë parësore që stabilitetin ekonomik ta shoqërojmë edhe me rritje më të madhe ekonomike. Ne kemi trashëguar një ekonomi pothuajse të paralizuar, nga vitet e pushtimit nga ana e Serbisë dhe shkatërrimeve të luftës.

Duhet potencuar se rimëkëmbja e shpejtë ekonomike pas luftës, në kuptim të ngjalljes së ekonomive familjare, është bërë duke iu falënderuar në masë të madhe përkrahjes së diasporës tonë. Kjo është edhe një dëshmi për rolin themelor që ka luajtuar diaspora në të gjitha proceset përparimtare në Kosovë.

Tërheqja e investimeve të huaja dhe promovimi i interesave ekonomike të Kosovës në botë, zë një vend të rëndësishëm në punën e rrjetit diplomatik të Kosovës. Ambasada e Kosovës ne Uashington dhe Konsullata në New York kanë luajtur rol kyç në organzimin e disa aktiviteteve ekonomike. Së fundi, në shtator ne kemi bashkorganizuar, së bashku me Ministrinë e Diasporës, një aktivitet të tillë.

 

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-ve janë në një nivel të lartë, por çfarë bëhet për thellimin e tyre të mëtejmë, sidomos në punën tuaj këtu në New York?

Roli i SHBA-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës ka qenë vendimtar. Ne si shtet por edhe si komb jemi të bekuar që gëzojmë një nivel të tillë të lartë përkrahjeje nga SHBA-të dhe demokracitë më të forta të botës.

Në terren praktik, Ambasada e Republikës së Kosovës në Washington ka mandat kryesor të merret me marrëdhëniet politike në mes të Kosovës dhe SHBA-ve. Sa i përket Konsullatës së Përgjithshme në New York, kontributi ynë në themelimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe SHBA-ve shtrihet në disa drejtime themelore.

Së pari, ne kemi bashkëpunim intenziv me diplomacinë amerikane në New York, për sa i përket çështjeve që lidhen me OKB-në, procesin e njohjeve, si dhe zhvillimet që kanë të bëjnë me Kosovën dhe Ballkanin përgjithësisht. Përtej domenit klasik diplomatik, Konsullata e Përgjithshme angazhohet në avancimin e marrëdhënieve të Kosovës me shtetin e New York-ut dhe, deri në një masë më të vogël, me shtetet përreth, në dimensione kulturore, arsimore, ekonomike etj. Pa dyshim, një faktor me shumë rëndësi në thellimin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA është edhe diaspora jonë. Diaspora shqiptare në Amerikë ka qenë ura më e fortë lidhëse në mes të Kosovës dhe shqiptarëve përgjithësisht me SHBA-në. Së këndejmi, ne angazhohemi që kjo urë të forcohet vazhdimisht dhe këtë e bëjmë duke mbajtur kontakte dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me diasporën tonë këtu.

 

 

 

Cilat janë disa nga objektivat tuaja për këtë vit?

Ne sot jetojmë dhe veprojmë në një sfond global, tipar kryesor i të cilit është imponimi i nevojës për përshtatje të vazhdueshme ndaj dinamikave dhe trendeve politike dhe të tjera. Ne si Kosovë jemi në një pozicion të veçantë, për shkak se ndodhemi në procesin e forcimit të pozitës sonë në familjen e shteteve sovrane, si anëtar i ri i familjes i kësaj familjeje. Paralelisht me këtë, në punën dhe planifikimet tona, ne si pikë referimi kemi ambicien tonë shtetërore dhe kombëtare për t’u integruar plotësisht në familjen Euro-Atlantike të kombeve. Kjo jo vetëm në kuptim politik dhe ekonomik, por edhe socio-kulturor.

Rrjedhimisht, projeksionet e politikës së jashtme të Kosovës janë reflektim i këtyre synimeve madhore.

Planet e punës së Konsullatës së Përgjithshme për vitin 2013 janë artikuluar brenda këtyre parametrave të përgjithshme të politikës së jashtme kosovare. Duhet të potencoj se, si rregull, misionet diplomatike të Republikës së Kosovës e kanë për detyrë që për çdo fundvit të hartojnë një plan pune për vitin pasues dhe të njëjtën ta paraqesin në Ministrinë e Jashtme të Republikës së Kosovës (MPJ).

Në përputhje me udhëzimet e MPJ-së dhe brenda kornizës së cekur më sipër, ne kemi hartuar një plan konkret pune për vitin 2013. Konsullata e Përgjithshme do të angazhohet në maksimum për arritjen e synimeve të parashtruara në këtë plan.

Është me rëndësi të potencohet se puna me diasporën tonë në SHBA zë një vend të rëndësishëm në planifikimet tona për vitin 2013. Kjo do të bëhet në bashkërendim edhe me Ministrinë e Diasporës së Republikës së Kosovës. Besoj shumë se do ketë bashkëpunim në këtë drejtim edhe me rrjetin diplomatik, përkatësisht konsullor, të Republikës së Shqipërisë.

 

A mund të na jepni një mesazh për vitin e ri 2013?

Viti 2012 ishtë i shënuar për të gjithë shqiptarët, për shkak të shënimit jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Pas më pak se dy muajsh ne do kremtojmë edhe pesë vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Sukseset dhe arsyet për kremtim janë të mëdha. Le të urojmë që vitet dhe dekadat e ardhshme do jenë kohëra të zhvillimit dhe përparimit tonë. Liria dhe pavarësia bëhen më kuptimplote kur karakerizohen me mirëqenie individuale dhe përparim kolektiv. Urojmë që viti 2013 të jetë vit i paqes, prosperitetit dhe sukseseve për të gjithë ne. Një urim të veçantë kam në mënyrë të veçantë për diasporën tonë në SHBA.

(Intervistoi: Beqir Sina)