IPK shqyrton çështjen e pjesëmarrjes së zyrtarëve të Policisë së Kosovës në takim me Vuçiqin

Prishtinë, 25 mars 2022 – Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka thënë të premten, më 25 mars, se është duke shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së eprorëve të Policisë së Kosovës në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.

Më 22 mars, përfaqësues të serbëve të Kosovës, përfshirë edhe zyrtarë të institucioneve të Kosovës, kanë marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, ku është diskutuar lidhur me reagimin e serbëve të Kosovës dhe të Serbisë për moslejimin e mbajtjes sëzgjedhjeve parlamentare epresidenciale të Serbisë në teritorin e Kosovës më 3 prill.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  ka përgatitur shkarkimin e “të gjithë komandantëve dhe dhe policëve serbë” që kanë marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë.

Vuçiq e ka akuzuar Kurtin se, me këto veprime, “dëshiron ta prishë paqen” në Kosovë. Ai ka thënë se Kurti do të sulmojë serbët në Kosovë dhe është zotuar se Serbia do të jetë me ta.

“Albin Kurti ka vendosur të sulmojë popullin serb në Kosovë, në veri dhe në jug. Serbia do të jetë me  popullin e saj”, është shprehur Vuçiq në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale.

Reagimi i Vuçiqit erdhi menjëherë pas njoftimit se Këshilli Gjyqësor i Kosovës të enjten e ka suspenduar kryetaren e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Lilana Stevanoviq, e cila ka marrë pjesë në  mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë.

Lidhur me suspendimin e Stevanoviqit ka reaguar edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Ajo e kacilësuar si “skandaloz” vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për pezullimin e gjyqtares Stevanoviq.

(r.m.)