Iran: Protestuesit djegin shtëpinë e ish-udhëheqësit suprem, Ayatollah Khomeinit

Teheran, 18 nëntor 2022 – Protestuesit iranian i vunë zjarrin shtëpisë së vjetër të ish-udhëheqësit suprem të vendit dhe themeluesit të regjimit, Ayatollah Ruhollah Khomeini, treguan pamjet që qarkulluan në mediat sociale, ndërsa protestat kundër regjimit të shkaktuara nga vdekja e Mahsa Amini hynë në muajin e tretë.

Protestuesit dolën në rrugë në të paktën 23 qytete në të gjithë Iranin të enjten, sipas videove të postuara nga grupi aktivist 1500tasvir në Twitter.

Në qytetin Khomein, vendlindja e Khomeinit, protestuesit i vunë zjarrin shtëpisë së kthyer në muze të themeluesit të Republikës Islamike, treguan pamjet që qarkulluan në mediat sociale.

Video të tjera nga Khomein treguan protestuesit duke bërtitur parulla kundër liderëve klerikë të Iranit.

“Ky vit është viti i gjakut, [Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei] do të rrëzohet”, brohoritën protestuesit në kryeqytetin Teheran.

Agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve iraniane Fars tha se pesë anëtarë të forcave të sigurisë u vranë gjatë protestave të së enjtes.

Protestat kanë përfshirë Iranin që nga 16 shtatori, kur gruaja kurde iraniane 22-vjeçare Amini vdiq tre ditë pasi ishte vendosur në dhomat e paraburgimit. Ajo ishte arrestuar nga policia morale e Teheranit për gjoja se nuk kishte respektuar rregullat strikte të regjimit të hixhabit.

Demonstruesit kanë bërë thirrje për ndryshim regjimi në protestat, të cilat janë bërë një nga sfidat më të guximshme për regjimin që nga themelimi në vitin 1979.

Mbi 300 njerëz janë vrarë nga forcat e sigurisë dhe mijëra janë arrestuar, sipas grupeve të të drejtave.

(Telegrafi)