Teheran,12 prill 2021 – Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane bëri të ditur se centrifugat e pasurimit të uraniumit ishin dëmtuar. Ai shtoi se Irani do të hakmarrej ndaj Izraelit, por pa përcaktuar se për çfarë bëhej fjalë konkretisht.
Shefi i programit bërthamor të Iranit Ali Akbar Salehi e quajti incidentin e së dielës një akt “terrorizmi bërthamor”.
“Ndërsa e dënojmë këtë veprim të dëshpëruar, Republika Islamike e Iranit thekson nevojën që organet ndërkombëtare dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike të përballen me këtë akt të terrorizmit bërthamor”, njoftoi televizioni shtetëror duke cituar zotin Salehi.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, organi i Kombeve të Bashkuara që monitoron programin atomik të Iranit njoftoi të dielën se ishte në dijeni të situatës dhe zhvillimeve pasuese, por nuk dha të tjera detaje.
Duke cituar dy agjentë të zbulimit, gazeta “New York Times” raportoi se incidenti ishte një goditje e rëndë ndaj kapaciteve të Iranit për të pasuruar uranium dhe se sipas tyre mund të duheshin nëntë muaj për ta rifutur sërish në punë impiantin.
Gazeta shkruante se sipas zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë të zbulimit, Izraeli kishte pasur rol në avarinë elektrike që i ishte shkaktuar impiantit. Të dielën media të shumta izraelite raportuan se Izraeli mund të ketë qenë pas incidentit, duke e cilësuar si sulm kibernetik.
Ndërprerja vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Irani pritet të zhvillojnë një raund të dytë bisedimesh indirekte këtë javë, në një përpjekje për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 mes Teheranit dhe fuqive botërore.
Irani kërkon heqjen e të gjitha sanksioneve amerikane ndaj tij, por SHBA paralajmëron se një kërkesë e tillë mund të çojë në një ngërç. Presidenti Joe Biden është zotuar se SHBA do të rikthehet tek marrëveshja nëse Irani do të fillojë t’i përmbahet plotësisht kushteve të saj.
Vendimi i ish-Presidentit Presidenti Donald Trump për të tërhequr SHBA-në nga marrëveshja në vitin 2018 dhe rivendosja e sanksioneve amerikane ndaj Iranit, krijuan shqetësime të mëdha në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Pas kësaj Irani vendosi të mos respektojë më kushtet e marrëveshjes, përfshirë depozitimin e rezervave më të mëdha të uraniumit të pasuruar.
Impianti i Natanzit ka qenë subjekt sulmesh edhe në të kaluarën, përfshirë sulmet kibernetike rreth një dekadë më parë, për të cilat u fajësuan gjerësisht Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Korrikun e kaluar impianti pësoi gjithashtu një shpërthim misterioz tek centrifugat, akt të cilin autoritetet iraniane e cilësuan si sabotazh.
Incidenti vjen një ditë pasi Presidenti iranian Hassan Rouhani mbikëqyri fillimin e punës në impiantin e Natanzit të centrifugave të përparuara për pasurimin e uraniumin, një përbërës kryesor për armët bërthamore.
Zoti Rouhani përsëriti qëndrimin se aktivitetet bërthamore të vendit janë “paqësore dhe se nuk kanë qëllime ushtarake”.
(Zëri i Amerikës)