Irani e sulmon Izraelin me raketa balistike

Jerusalem / Teheran / Uashington, 1 tetor 2024 – Ushtria izraelite njoftoi të martën, më 1 tetor, se Irani kishte nisur raketa në drejtim të Izraelit dhe se cak i predhave të lëshuara nga Irani janë rreth dhjetë milionë civilë në zona të ndryshme të vendit.

Autoritetet izraelite thane se sirenat e alarmit ishin lëshuar në gjithë Izraelin dhe se banorët janë udhëzuar të kërkojnë strehim të sigurt.

Garda Revolucionare e Iranit tha se sulmi me raketa ndaj Izraelit ishte në përgjigje të vrasjes së kreut të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, javën e kaluar, si dhe të liderit të Hamasit.

Irani kishte premtuar se do të hakmerrej për sulmet ajrore izraelite të javëve të fundit që vranë udhëheqësinë e lartë të Hezbollahut në Liban.

Pas sulmit, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, urdhëroi ushtrinë amerikane ta “ndihmojë mbrojtjen e Izraelit” dhe të rrëzojë raketat iraniane që po e shënjestrojnë Izraelin, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

 Izraeli, Iraku dhe Jordania njoftuan se i kanë mbyllur përkohësisht hapësirat e tyre ajrore.

Më herët gjatë ditës, ushtria izraelite tha se kishte nisur sulme “të shënjestruara dhe precize” brenda Libanit në atë që e quajti një “inkursion të kufizuar” tokësor që filloi gjatë natës, duke shtuar se trupat e saj ishin të përfshira në “luftime të ashpra” me Hezbollahun.

Ndërkqa, një zyrtar i lartë i administratës amerikane kishte paralajmëruar se Irani po përgatitet për të nisur një sulm “të menjëhershëm” me raketa balistike ndaj Izraelit. Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Shtetet e Bashkuara po mbështesin aktivisht përgatitjet e Izraelit për mbrojtje.

Anije dhe avionë amerikanë janë vendosur në rajon për ta ndihmuar Izraelin në rast të një sulmi.

(r.m.)