Iranianët organizojnë protesta të reja kundër Qeverisë

Teheran, 20 shkurt 2023 – Iranianët kanë nisur protesta të reja kundër Qeverisë në dhjetëra lagje në kryeqytetin iranian, Teheran, si vazhdimësi e protestave që janë zhvilluar me muaj në këtë shtet, pas vdekjes një 22-vjeçares Mahsa Amini.

Ajo ka vdekur në shtator të vitit të kaluar sa ka qenë në mbajtje policore, me arsyetimin se nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.

Protestuesit në lagjen Jannat Abad të Teheranit kanë shpërfaqur mllefin e tyre ndaj ndërhyrjes qeveritare në lirinë e shprehjes, andaj janë dëgjuar duke bërtitur “Liri, liri!” dhe “Vdekje diktatorit”, referencë për liderin suprem, Ayatollah Ali Khamenei.

Në lagjen Ekbatan të Teheranit, e cila ka qenë epiqendër për protestat që janë mbajtur tash e sa muaj, protestuesit janë dëgjuar duke bërtitur slogane kundër pushtetit dhe kanë krijuar postblloqe në zonën e hyrjes në lagje, si dhe kanë vazhduar arrestimin e pjesëmarrësve.

Në disa video të publikuara në rrjetet sociale janë parë disa njerëz duke djegur banerë propagandues të Qeverisë në qytetin iranian Jasuj.

Zyrtarët iranianë kanë fajësuar Perëndimin për organizimin e protestave prej vrasjes së Aminit.

Sipas grupeve për të drejta të njeriut, si pasojë e shtypjes qeveritare, në protesta kanë vdekur më shumë se 500 njerëz, përfshirë 71 fëmijë.

Këto protesta konsiderohen kërcënimi më i madh për Qeverinë islamike prej Revolucionit të vitit 1979.

(REL)