Iraniania Narges Mohammadi fiton Çmimin Nobel për Paqe

Stokholm, 6 tetor 2023 – Narges Mohammadi, një mbrojtëse iraniane për të drejtat e grave, e cila është e burgosur, fitoi të premten Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2023.
Një nga veprimtaret kryesore të të drejtave të njeriut në Iran, Narges Mohammadi ka bërë fushatë për të drejtat e grave dhe heqjen e dënimit me vdekje.
Duke e quajtur Narges Mohammadin një “luftëtare të lirisë “, kryetarja e Komitetit Norvegjez të Nobelit Berit Reiss-Andersen, e filloi fjalimin e saj duke thënë në gjuhën farsi, fjalët për “grua, jetë, liri”, një nga sloganet e protestave paqësore kundër qeverisë iraniane.
https://twitter.com/NobelPrize/status/1710218490299170927?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1710218490299170927%7Ctwgr%5Ed01cd514085802c8b90621db85aa28f177fee0f5%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.zeriamerikes.com%2Fa%2F7299421.html
“Komiteti Norvegjez i Nobelit ka vendosur t’i japë Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2023 Narges Mohammadit, për luftën e saj kundër shtypjes së grave në Iran dhe luftën e saj për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe lirinë për të gjithë”, tha zonja Berit Reiss-Andersen.
Zonja Mohammadi aktualisht po vuan dënime të shumta në burgun Evin të Teheranit, që arrijnë në rreth 12 vjet heqje lirie. Akuzat përfshijnë “përhapjen e propagandës kundër shtetit”.
Ajo është nënkryetare e Qendrës Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut, një organizatë joqeveritare e udhëhequr nga Shirin Ebadi, fituese e Çmimit Nobel për Paqe në vitin 2003.
Çmimi Nobel për Paqe, me vlerë 11 milionë korona suedeze, ose rreth 1 milion dollarë, do të jepet në Oslo më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së industrialistit suedez Alfred Nobel, i cili themeloi çmimet në testamentin e tij të vitit 1895.
(Zëri i Amerikës)