Tbilisi, 14 dhjetor 2024 – Ish-futbollisti Mikheil Kavelashvili u zgjodh president i Gjeorgjisë të shtunën, ndërsa partia në pushtet që e votoi po forcon kontrollin e saj në atë që opozita e quan një goditje ndaj aspiratave të vendit për në Bashkimin Evropian.
53 vjeçari Kavelashvili ishte i vetmi kandidat në fletëvotim dhe fitoi lehtësisht votën duke pasur parasysh kontrollin e partisë “Ëndrra Gjeorgjiane” në kolegjin elektoral me 300 vendesh, që zëvendësoi zgjedhjet e drejtpërdrejta presidenciale në vitin 2017. Ky kolegj përbëhet nga anëtarë të Parlamentit, këshillave bashkiakë dhe legjislaturat rajonale.
Nga 225 elektorë të pranishëm, 224 votuan për Kavelashvilin.
Një ish-futbollist profesionist, Kavelashvili ka pikëpamje të forta anti-perëndimore, shpesh konspirative. Në fjalimet publike të këtij viti, ai ka pretenduar vazhdimisht se agjencitë perëndimore të zbulimit po përpiqen ta fusin Gjeorgjinë në luftë me Rusinë. Ai pritet ta bëjë betimin më 29 dhjetor.
Qindra protestues u mblodhën jashtë parlamentit ndërsa zhvillohej procedura e votimit për presidentin e ri.
“Zgjedhjet e sotme presidenciale nuk mund të jenë legjitime, sepse zgjedhjet parlamentare janë manipuluar dhe në thelb një parlament jo legjitim nuk mund të zgjedhë një president legjitim”, thotë një protestuese.
“Nuk mundet që një president të ketë vetëm 9 vjet arsimim. Kam studiuar dhe kam punuar që kur isha 15 vjeç. Ai nuk është presidenti ynë”, thotë një tjetër protestuese.
“Ajo që shohim sot është një tradhti e pastër e vullnetit gjeorgjian, vullnetit të popullit dhe tradhti ndaj vlerave të popullit gjeorgjian dhe vlerave perëndimore. Zgjedhja e sotme përfaqëson dëshirën e qartë të sistemit për ta futur Gjeorgjinë në rrënjët sovjetike” , tregon një protestues.
Ëndrra Gjeorgjiane mbajti kontrollin e Parlamentit në vendin e Kaukazit Jugor në zgjedhjet e 26 tetorit, që opozita pretendon se ishin manipuluar me ndihmën e Moskës. Presidentja në largim e Gjeorgjisë dhe partitë kryesore pro-perëndimore që atëherë kanë bojkotuar seancat parlamentare dhe kanë kërkuar një përsëritje të votimit.
Partia Ëndrra Gjeorgjiane është zotuar të vazhdojë të punojë për anëtarësimin në BE, por gjithashtu dëshiron të “rivendos” lidhjet me Rusinë.
Kritikët kanë akuzuar këtë parti, themeluar nga Bidzina Ivanishvili, një miliarder në hije që e bëri pasurinë e tij në Rusi, se po bëhet gjithnjë e më autoritare dhe e anuar drejt Moskës, akuza që partia në pushtet i ka mohuar. Partia kohët e fundit miratoi ligje të ngjashme me ato të përdorura nga Kremlini, për të goditur lirinë e fjalës dhe të drejtat e komunitetit LGBTQ.
Pro-perëndimorja Salome Zourabichvili ka qenë presidente që nga viti 2018 dhe është zotuar të qëndrojë pas përfundimit të mandatit të saj gjashtë-vjeçar, duke e përshkruar veten si udhëheqësja e vetme legjitime deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Vendimi i partisë Ëndrra Gjeorgjiane muajin e kaluar për të pezulluar bisedimet për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian shtoi zemërimin e opozitës dhe nxiti protestat e qytetarëve.
Mijëra demonstrues mblidhen çdo natë jashtë Parlamentit, pasi qeveria njoftoi pezullimin e bisedimeve për anëtarësim në BE më 28 nëntor.
Policia ka përdorur forcën për të shpërndarë protestuesit, ndërsa qindra janë arrestuar. SHBA dhe BE kanë dënuar përdorimin e tepruar të forcës nga policia ndaj protestueësve.
(Zëri i Amerikës)