Tiranë, 19 gusht 2022 – Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) e la në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për shkarkimin e gjyqtares Marjana Velçani, pasi ajo nuk arriti të provojë se për blerjen e një apartamenti kishte shërbyer një kredi e deklaruar prej saj si burim.
Deklarimet e ish-gjyqtares së Gjykatës Administrative të Durrësit, Marjana Velçani, lidhur me burimet e krijimit të një apartamenti, si dhe dokumentet e dorëzuara prej saj, e penalizuan gjatë procesit të vetingut me shkarkim, megjithëse nga analiza financiare e kryer në KPA dhe në KPK ka rezultuar se ka pasur gjendje në vlerë më të madhe se balanca negative. Mundësia e kursimit nuk është konsideruar, pasi Velçani E ka deklaruar si burim për pjesën më të madhe të çmimit të apartamentit, një kredi që e ka përfituar pas blerjes së kësaj pasurie.
Marjana Velçani u shkarkua nga detyra prej KPK-së më 12 dhjetor 2019, pasi nuk e justifikoi dot blerjen e një apartamenti me burime të ligjshme, si dhe u konstatuan balanca negative për një makinë dhe shpenzimet familjare. Për pastërtinë e figurës nuk u gjetën probleme, ndërsa konstatimet për profesionalizmin u vlerësuan jopenalizuese.
Vendimi i KPK-së u ankimua nga gjyqtarja Velçani, e cila, përveç kundërshtimeve të konkluzioneve për pasurinë, ngriti pretendime edhe mbi procesin e rregullt ligjor dhe ndaj konstatimeve në kriterin profesional.
Gjatë shqyrtimit të ankimit të subjektit në dhomë këshillimi, KPA ka konstatuar se dokumentacioni i gjetur në fashikujt e KPK-së për një kredi të marrë për blerjen e një apartamenti në Berat, ishte përcjellë nga Alpha Bank përmes postës elektronike, i pashoqëruar me shkresë përcjellëse me ekstremitetet përkatëse, si numër protokolli e datë. Po ashtu, në e-mail nuk referohej lista e dokumenteve të përcjella, si dhe në to nuk përfshiheshin disa dokumente të praktikës së kredisë të paraqitura nga subjekti bashkëngjitur ankimit.
Bazuar në këto konstatime, trupi gjykues i KPA-së, i kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relatore Albana Shtyllën dhe anëtarë Ina Rama, Mimoza Tasi e Sokol Çomo, vendosi të kalojë shqyrtimin e çështjes në seancë gjyqësore publike, me qëllim konstatimin e plotë të situatës faktike dhe përsëritjen e marrjes së proves, për sa i përket praktikës së kredisë bankare.
KPK administroi si prova dokumentet e Alpha Bank të depozituara nga subjekti lidhur me kredinë, ndërkohë që u vlerësuan të panevojshme akte të tjera të dorëzuara prej saj. Pretendimet e Velçanit për mosgarantimin e procesit të rregullt ligjor në Komision, janë gjetur të pabazuara prej trupit gjykues të KPA.
Problemi kryesor i evidentuar prej Komisionit në vlerësimin e pasurisë së Velçanit ishte blerja e një apartamenti me sipërfaqe 111 m2 në Berat në vlerën e 3 milionë lekëve. Sipas Komisionit, gjyqtarja Mariana Velçani ka pasur mungesë burimesh të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie, si dhe ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm.
Velçani ka deklaruar si burim krijimi të apartamentit të ardhurat nga paga në shumën 300 mijë lekë dhe një kredi në vlerën 20 mijë euro marrë në Alpha Bank, që është disbursuar më datë 2 korrik 2003, rreth tre muaj pas blerjes së apartamentit.
Sipas KPK, në kontratën e kredimarrjes nuk është parashikuar qëllimi i përfitimit të kësaj vlere dhe nuk rezulton që kredia të ketë kaluar me transaksion bankar në favor të shoqërisë ndërtuese, ndërkohë që është përfituar duke vendosur si kolateral të njëjtin apartament.
Velçani e ka kundërshtuar konkluzionin e KPK duke pretenduar se është vërtetuar me prova të plota e të pakundërshtueshme se qëllimi i kredisë në Alpha Bank ka qenë për blerjen e apartamentit 111 m2 në Berat. Ajo ka shpjeguar se në dakordësi dhe mirëkuptim me palën shitëse, shlyerja e plotë e çmimit të kësaj pasurie është kryer pas marrjes së kredisë dhe jo në momentin e shitjes së pasurisë, ashtu si është e përcaktuar në kontratë.
Trupi gjykues vëren se dokumentacioni i praktikës së kredisë i përcjellë nga Alpha Bank në Kolegj ishte i njëjtë me atë të administruar në fashikujt e Komisionit dhe për këtë arsye ka pranuar si provë dokumentet shtesë të depozituara nga subjekti.
Megjithatë, sërish ka rezultuar se në dokumentacion nuk është përcaktuar qëllimi i marrjes së kredisë.
Pretendimi i subjektit të rivlerësimit se kontrata e shitjes së pasurisë është bazuar në marrëdhënie besimi mes palëve, me qëllim që pala shitëse të mundësonte krijimin e kolateralit për palën blerëse për përfitimin e vlerës së plotë të shitjes së apartamentit nga kredia bankare, vlerësohet jobindës nga Kolegji.
“Tjetërsimi i pronës pa asnjë garanci për palën shitëse për shlyerjen e detyrimit, mund të jetë premisë probabiliteti për mosshlyerjen e detyrimit nga pala blerëse, në një marrëdhënie e cila bazohet vetëm në cilësinë e bashkëqytetarëve”, argumenton KPA.
Subjekti pretendoi në KPA se i gjithë çmimi i blerjes 3 milionë lekë nuk është likiuduar para dhe në momentin e nënshkrimit të kontratës së shitblerjes, por sipas mandateve të lëshuara nga shoqëria ndërtuese në kohë të mëvonshme.
Por, Kolegji konstaton se mandatarkëtimet nuk janë përpiluar në përputhje me rregullat e kohës dhe për rrjedhojë nuk mund të provohet koha e kryerjes së pagesave për blerjen e pasurisë.
Lidhur me arsyen e copëzimit të shlyerjes së detyrimit pas disbursimit të kredisë, subjekti ka shpjeguar se kjo situatë është krijuar me qëllim për të përfituar nga kursi i këmbimit të valutave. Kolegji sjell në vëmendje pretendimin e subjektit në ankim për mirëkuptimin e shoqërisë ndërtuese në nënshkrimin e kontratës së shitjes përkundrejt shlyerjes së plotë të çmimit pas përfitimit të kredisë dhe e vlerëson jobindës këtë shpjegim për arsyen e pagesës me këste.
Kolegji vëren se subjekti ka mbajtur qëndrime të ndryshme lidhur me një marrëveshje shtesë të financimit nga banka, për blerje dhe rikonstruksion apartamenti. Në ankim, Velçani ka pretenduar se Komisioni nuk kishte vlerësuar drejt marrëveshjen shtesë të financimit që mban datë më të hershme se ajo e kontratës së kredisë, duke theksuar se ky fakt përbënte provë se marrdhënia me bankën ka filluar kohë përpara nënshkrimit të huadhënies për të cilën është vendosur si garanci hipotekore apartamenti në Berat.
KPA ka gjetur se kjo marrëveshje shtesë financimi është nënshkruar në të njëjtën ditë me kontratën e kredisë, pavarësisht se ka të pasqyruar një datë më të hershme, ç’ka ka sjellë qëndrim të ri të subjektit.
Gjatë parashtrimeve, Velçani ka ndryshuar deklarime, duke e konsideruar si lapsus datën e pasqyruar në marrëveshjen shtesë të financimit. Në vijim, edhe ajo ka argumentuar se nuk kishte mundësi objektive që marrëveshja e financimit të lidhej mes palëve përpara nënshkrimit të kontratës së kredisë.
Qëndrimet dhe kërkimet e ndryshme të subjektit në këtë rast vlerësohen prej Kolegjit si tentativë për të shtrembëruar faktet dhe për të prezantuar një situatë të ndryshme nga ajo faktike.
“…Kur kredimarrësi provonte përkundrejt bankës titullin e pronësisë për apartamentin me sipërfaqe 111 m2 në Berat, trupi gjykues i Kolegjit, vlerëson se qëllimi i kredisë i përcaktuar në marrëveshjen shtesë të financimit për blerje dhe rikonstruksion apartamenti, nuk provohet se ka pasur për qëllim blerjen e këtij apartamenti”, konstaton KPA dhe konkludon se kredia e marrë në Alpha Bank nuk provohet të jetë përdorur si burim krijimi i apartamentit me sipërfaqe 111 m2 në Berat.
Kolegji ka rrëzuar edhe pretendimin tjetër të Velçanit se kishte aftësi paguese dhe nuk mund të rezultonte në pamundësi financiare për blerjen e apartamentit.
Trupi gjykues vlerëson se megjithëse subjekti rezulton me mjaftueshmëri financiare në vlerën afro 1.7 milionë lekë, konstatohet balancë negative në vlerën 968 mijë lekë për pagesën e çmimit të apartamentit, pasi si burim krijimi janë konsideruar në analizë kredia dhe shuma 300 mijë lenë nga pagat, të deklaruara prej Velçanit.
Pamundësi financiare në vlera të vogla janë konstatuar edhe për blerjen e një autoveture dhe shpenzimet familjare. Për blerjen e një automjeti është konkluduar balancë negative në shumën 52 mijë lekë; për shpenzimet në vitin 2012 pamundësi në vlerën 78 mijë lekë dhe në 2005-ën janë kryer dy analiza financiare, ku vlera e arredimit e përllogaritur sipas shifrës së konstatuar në praktikën e një kredie ka rezultuar në shumën 314 mijë lekë, ndërsa sipas variantit të pretenduar nga subjekti mungesa ka rezultuar në masën 127 mijë lekë.
KPA ka lënë në fuqi edhe konstatimin e Komisionit për deklarim të pasaktë të vlerës së një apartamenti tjetër në Tiranë.
Velçani ka kundërshtuar edhe konkluzionin e Komisionit për probleme të saj në kriterin profesional, në drejtim të procedurës. Subjekti ka pretenduar se në periudhën e kontrollit të ushtruar, për shkak të volumit të madh punës, ishte e vështirë të gjente zbatim procedura.
Duke ju referuar legjislacionit administrativ dhe atij për “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ku parashikohen veprime më të shpejta dhe dobiprurëse për palët ndërgjygjëse, Kolegji e gjen të pabazuar këtë pretendim të subjektit. Megjithatë, ashtu si dhe në Komision, nuk janë konstatuar probleme penalizuese në kriterin profesional.
Në përfundim, Kolegji çmon se gjyqtarja Marjana Velçani ka dështuar të provojë arritjen e një niveli të besueshëm në vlerësimin e pasurisë dhe për rrjedhojë nuk mund të aplikohet parimi i proporcionalitetit dhe objektivitetit, duke lënë në fuqi shkarkimin e saj.
(Reporter.al)