Ish Kongresmeni amerikan i shkruan kryerparlamentare Nikolla: Shpëtoni Butrintin!

Uashington, 13 maj 2022 – Ish-kongresmeni amerikan Joseph J. DioGuardi i bën thirrje kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, që Kuvendi të veprojë për të penguar kalimin e menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit te Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, siç parashihet në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, të miratuar së fundi nga Qeveria shqiptare.

Në një letër dërguar zonjës Nikolla, DioGuardi thekson se Qeveria e Shqipërisë, nën ndikimin e Fondacionit Shqiptar – Amerikan të Zhvillimit, e ka ndryshuar Ligjin për Trashëgiminë Kulturore për të lejuar këtë fondacion privat që të menaxhojë Parkun Kombëtar të Butrinti.

Mes tjerash, ish-kongresmeni i bën thirrje Nikollës që bllokojë ndryshimet ligjore që mundësojnë bartjen e kompetencave të institucioneve shtetërore te subjektet afariste.

“Të bllokoni dhe të hidhni poshtë çdo projektligj vijues që i çel rrugën këtij akti dhe që paraqitet nga qeveria në periudhën e tashme dhe/ose në të ardhmen e afërt që do të përfundonte transferimin de facto të menaxhimit të Butrintit në duart e Fondacionit Shqiptar – Amerikan të Zhvillimit;”.

Letra është publikuar nga gazeta Dielli.

LETRA

Dr. Lindita Nikolla

Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 4

Tiranë

Shqipëri

 

Dërguar me postë elektronike Sekretarit të Kuvendit: [email protected] Më 22 prill 2022

Ref: Menaxhimi i Vendit të Trashëgimisë Botërore të Butrintit

 

E nderuara Kryetare Nikolla,

Po ju shkruaj si ish anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara nga shteti i Nju Jorkut, 1985-1989, duke iu referuar një raporti në Zërin e Amerikës, të datës 6 prill 2022 lidhur me situatën në Vendin e Trashëgimisë Botërore UNESCO të Butrinti, të titulluar: “Qeveria shqiptare vendos menaxhimin e Butrintit nga një fondacion”, tek https://www.zeriamerikes.com/a/6517829.htmlMe sa duket, Qeveria e Shqipërisë, nën ndikimin e Fondacionit Shqiptar – Amerikan të Zhvillimit, ka ndryshuar Ligjin për Trashëgiminë Kulturore për të lejuar një fondacion privat që të menaxhojë Parkun Kombëtar të Butrintit. Më tej, nga raporti në Zërin e Amerikës mësova se një zonë e konsiderueshme prej rreth 800 hektarësh nuk do të ketë nivelin e pêrparshëm të mbrojtjes, “duke i hapur kështu rrugën zhvillimit të turizmit”.

Së fundi, mësova për shqetêsimet e thella të shprehura nga qytetarë të shquar të Shqipërisë, si p.sh. Prof. Neritan Ceka, arkeolog me famë ndërkombëtare dhe ekspert i dorës së parë për Butrintin, por të trazuar nga kjo gjë janë edhe shkencëtarë dhe ekspertë të tjerë shqiptarë.

Kam mendimin se këto zhvillime ngrenë pikëpyetje serioze për ruajtjen dhe integritetin e Butrintit, por edhe nëse një entitet i bazuar në SH.B.A., siç është Fondacioni Shqiptar – Amerikan i Zhvillimit, vepron në Shqipëri në shkelje të të politikave të qarta dhe të mirëpërcaktuara të qeverisë amerikane lidhur me menaxhimin e parqeve kombëtare.

Me të vërtetë, ju mund të keni dijeni se parqet tona shumë të vlerësuara në Amerikë menaxhohen ekskluzivisht dhe vetëm nga Shërbimi Kombëtar i Parqeve {National Park Service], një agjenci brenda Departamentit të Punëve të Brendshme të Qeverisë Amerikane. Në menaxhimin e tyre nuk përfshihen as fondacone private, as partneritete publike private, dhe as ndonjë model i ri apo “hibrid”.

Përse, atëhere Qeveria Shqiptare, nën mveshjen dhe ndikimin e Fondacionit Shqiptar – Amerikan të Zhvillimit, është kaq e merakosur dhe e gatshme që të eksperimentojë një model të ri menaxhimi “hibrid” apo partneriteti privat publik?Unë kam ndërmend që këto probleme t’i ngre me agjencitë e duhura në Qeverinë Amerikane, si dhe me miqtë e mi në Kongresin Amerikan.

Por dua që të sigurohem që, meqenëse Shqipëria, të paktën teorikisht, është demokraci kushtetuese parlamentare, atëhere Anëtarët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të përfaqësojnë zgjedhësit dhe t’u përgjigjen interesave të tyre, dhe jo liderëve të partive ose pushtetit ekzekutiv.

Me të vërtetë, në përvojën time në detyrë publike qëllimi im si kongresmen ka qenë zbatimi i Kushtetutës së SHBA-së dhe përcjella e zërit, interesave dhe përparësive të zgjedhësve të mi, dhe unë mund t’ju them se kam pasur raste të panumërta kur kam kundërshtuar “vijën e partisë”, duke votuar sipas ndërgjegjes time si dhe interesit të zgjedhësve të mi.

Së fundi, Shqipëria sivjet feston 110 vjetorin e Pavarësisë. Vallë a beson ndokush se Shqpëria nuk i ka kapacitetet dhe burimet për të menaxhuar vetë Butrintin, por në vend të kësaj, është e gatshme që t’ja dorëzojë menaxhimin një fondacioni privat, të frymëzuar, të krijuar dhe të kontrolluar nga një entitet i huaj, siç është Fondacioni Shqiptar – Amerikan i Zhvillimit?

Prandaj ju sugjeroj me respekt që: Të ushtroni detyrimin tuaj kushtetues dhe të nisni pa humbur kohë procedurat parlamentare për të shfuqizuar shtegun juridik të krijuar nga nenet 171-173 të Ligjit të Trashëgimisë Kulturore 27/2018 të Shqipërisë.

Është vërtet tronditëse që të mësojmë nga një intervistë televizive e kohëve të fundit të arkeologut të shquar, Prof. Apollon Baçe, se disa nene “të ligjit [të lartpërmendur] u hartuan me ndërhyrjen e” Michael Granoff. Besoj se ju keni dijeni se Neni 1, Seksioni 1 i Kushtetutës së SHBA shpall se: “I gjithë Pushteti ligjvënës i takon Kongresit të Shteteve të Bashkuara, që përbëhet nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve”.” Asnjë person privat në Amerikë, madje as Presidenti i Shteteve të Bashkuara, nuk ka pushtetin për të hartuar apo miratuar ligje.

Në rast se ajo çka pretendon Prof. Baçe është e vërtetë, unë kam të drejtë të pyes se si është e mundur në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë që një qytetar privat i huaj t’i mveshë vetes “pushtetin e ligjvënësit” apo të fusë dispozita ligjore në Shqipëri?!

Sa përputhet ky veprim me Kushtetutën dhe ligjet e repubikës tuaj, dhe çfarë mund të bëni ju për të rivendosur dhe rikthyer dinjitetin dhe sovranitetin e Kuvendit tuaj përballë një akti të tillë arrogant dhe të hapur të një ndërhyrjeje të jashtme? Po ashtu, sugjeroj që: Të bllokoni dhe të hidhni poshtë çdo projektligj vijues që i çel rrugën këtij akti, dhe që paraqitet nga qeveria në periudhën e tashme dhe/ose në të ardhmen e afërt që do të përfundonte transferimin de facto të menaxhimit të Butrintit në duart e Fondacionit Shqiptar – Amerikan të Zhvillimit;

Të udhëzoni organizmat e duhura të qeverisë shqiptare që të shqyrtojnë mundësinë e lidhjes së një marrëveshjeje binjakëzimi me Shërbimin Kombëtar të Parqeve të SHBA-së, me qëllimin që të adoptohet përvoja, dija dhe praktikat më të mira të tij për menaximin e parqeve aq të çmuara dhe unike kombëtare të Shqipërisë, dhe kjo gjë të bëhet vetëm dhe ekskluzivisht nga populli i Shqipërisë, sikurse është edhe politika dhe tradita vijuese në Amerikë.

Për sa më sipër, mbetem. Znj, Kryetare, në dispozicionin tuaj për çfarëdo pyetje ose mbështetje tjetër për këtë çështje shumë të rëndësishme.

Sinqerisht,

Joseph J. DioGuardi

(r.m.)