Ish-kryeministri rus paralajmëron: Fitorja e Rusisë në Ukrainë e rrezikon Baltikun

Moskë, 13 qershor 2022 – Mikhail Kasyanov, kryeministri i parë i Rusisë nën udhëheqjen e Vladimir Putinit, ka paralajmëruar se rezultati i luftës në Ukrainë do të përcaktojë të ardhmen e Rusisë, por edhe të shteteve të Baltikut.

Kasyanov, kritik i hapur i presidentit rus, i ka thënë agjencisë franceze të lajmeve, AFP, se fillimisht ai nuk ai nuk kishte besuar se Putin do të niste luftë kundër Ukrainës. Mirëpo, e ka kuptuar se do të ketë luftë, kur e ka parë Këshillin e Sigurisë së Rusisë, tri ditë para fillimit të agresionit.

“Unë i njoh ata njerëz dhe duke i shikuar ata e kam parë se Putini është jashtë kontrollit, jo në aspektin mjekësor, por në atë politik”, ka thënë Kasyanov.

Ai ka thënë se në të kaluarën e ka njohur një tjetër Putin.

Kasyanov, 64-vjeçar, ka thënë se është i bindur që Putin do të zëvendësohet nga një “kuazi-pasaardhës”, i kontrolluar nga shërbimet ruse të sigurisë, por dikur Rusia do t’i kthehet demokracisë, ndonëse me vështirësi.

“Jam i sigurt se Rusia do t’i rikthehet rrugës së ndërtimit të shtetit demokratik”, ka thënë Kasyanov, i cili ka qenë kryeministër në periudhën 2000-2004.

Ai ka vlerësuar se do të duhet rreth një dekadë për të bërë “dekomunizimin” dhe “deputnizimin” e Rusisë dhe ka theksuar se kjo do të jetë e vështirë.

“Do të jetë e vështirë, sidomos pas kësaj lufte kriminale”.

Kasyanov ka thënë se Putin, ish-kolonel i shërbimit sekret rus në periudhën komuniste, ka krijuar një sistem të dominuar nga ish-anëtarë dhe anëtarë të shërbimeve ruse të sigurisë.

Kasyanov, i cili ka bërë thirrje për lidhje më të forta të Rusisë me Perëndimin, sa ka qenë kryeministër, i është bashkuar opozitës ruse dhe është bërë ndër kritikët më të mëdhenj të Kremlinit, pasi është shkarkuar nga Putini.

(REL)