Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dënohet me 3 vjet e 4 muaj burg

Tiranë, 4 shkurt 2022 – Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dhënë vendimin për ish ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. GJKKO ka lënë në fuqi vendimin për dënimin e Tahirit me 3 vjet e 4 muaj burg.

Tahiri akuzohet nga SPAK për trafik të lëndëve narkotike, për grup të strukturuar kriminal dhe për kryerje e veprave penale nga organizata kriminale.

“Vuajtja me dënim fillon nga dita e ekzekutimit dhe të kryet në një burg të sigurisë së zakonshëm. I lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë.”, tha gjykatësi.

SPAK ka kërkuar 12 vjet burgim për Tahirin, por, duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, Prokuroria Speciale ka kërkuar që ish-ministri Tahiri të dënohet me 8 vjet burg dhe 3 vjet ndalim të ushtrimit  të ndonjë funksioni publik.

AKUZAT

Saimir Tahiri i akuzua fillimisht për trafik droge dhe për pjesëmarrje në grup kriminal, por u dënua nga gjykata për “shpërdorim detyre” me 3 vite shërbim prove. Gjykata e Posaçme e riktheu në rishqyrtim dosjen e ish-ministrit Tahiri, pasi gjeti parregullsi në proces.

Ish-ministri Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane e goditën një grup të strukturuar kriminal të trafikut të marihuanës, i cili drejtohej nga vëllezërit Habilaj, të afërm të Tahirit.

Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij.  Por, shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm.

(Panorama.al)